Hovenier: Përfundimi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja reciproke
Sh.Çoçaj/RTKlive
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe jo “diçka më pak se kjo”.
Ambasadori Hovenier ka thënë se duhet angazhim kolektiv për sfida politika, si dialogu.
“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe, sidomos duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë e mundshme që mund të pasojë”, ka deklaruar Hovenier në samitin “The Western Balkans 2024”.
Gjithashtu, ambasadori amerikan ka theksuar se është e rëndësishme që të zbatohen marrëveshjet që dy shtetet kanë arritur në kuadër të dialogut.
“Ka një varg zyrtarësh amerikanë, përfshirë dhe mua, që kalojmë shumë kohë për zbatimin e plotë të obligimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë në procesin e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ai.
Hovenier përsëriti qëndrimin e se SHBA-ja nuk pajtohet me një deklaratë të miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe Republika Srpska ku Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.























