Begaj takon Xhaferin dhe kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
BKT
Shqipëri

Begaj takon Xhaferin dhe kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

rtsh.al

Në një takim zyrtar, presidenti Begaj i uroi kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashit, përmbushjen me sukses të angazhimeve në detyrën e re të kryeparlamentarit, ndërsa vlerësoi faktin e përfaqësimit shqiptar në krye të institucioneve drejtuese të Maqedonisë së Veriut.

Gjatë bisedës, u theksua rëndësia e mësimeve nga e kaluara dhe nevoja për të mos përsëritur gabimet.

"Ne, si persona me funksione publike, duhet të kemi kujdes të mos përsërisim gabimet e së shkuarës dhe të punojmë për një të tashme e të ardhme më të mirë”, u shpreh Presidenti Begaj.

Ai shtoi, gjithashtu, se brezave të rinj duhet t’u lëmë një trashëgimi të përbashkët rajonale, të ndërtuar mbi urat e miqësisë, të cilat, në dallim nga e kaluara, ku urat më shumë shkatërroheshin, tani ndërtohen lart.

 Bashkëpunimi mes dy vendeve u përshkrua si i shkëlqyer, ndërsa u vunë në dukje edhe hapësirat e mbetura për përmirësim.

“Ne duhet të punojmë së bashku si shqiptarë, si maqedonas dhe si qytetarë të këtij rajoni”, u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar angazhimin për të vazhduar zgjerimin e bashkëpunimit.

Presidenti Begaj shprehu bindjen për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe vazhdimin e projekteve të përbashkëta, me qëllim që rruga e bashkëpunimit, siç u shpreh ai, “nga dy korsi të përbashkëta, të zgjerohet në katër të tilla.”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Shkup zhvilloi një takim edhe me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Gjatë këtij takimi, Presidenti Begaj e përgëzoi Xhaferin për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe suksesin e arritur në realizimin e zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, të cilat përmbushën të gjithë parametrat demokratikë si të drejta dhe të pakontestueshme.

Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin dhe rolin vendimtar të shqiptarëve në proceset e shtetformimit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se bashkëpunimi ndërshtetëror dhe ndërkomunitar është çelësi i suksesit dhe stabilitetit rajonal.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë Presidenti Begaj i cilësoi si të shkëlqyera në nivelin politik, ndërsa propozoi zgjerimin e tyre në fusha të tjera me interes reciprok, si në ekonomi, në shkëmbime tregtare e kulturore, në sektorin e  energjisë dhe të turizmit.

Presidenti i Shqipërisë theksoi se duhet punuar fort për avancimin e projekteve të nisura në këto fusha. Po ashtu, Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e dy vendeve në organizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë. 

Politika e jashtme dhe ajo e sigurisë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian, - theksoi Presidenti Begaj.

Presidenti Begaj  shprehu besimin se do të vijohet  në këtë mënyrë drejt finalizimit të rrugëtimit të përbashkët të dy vendeve,  me anëtarësimin në BE.


MË SHUME NGA Shqipëri