Kurti vizitoi BIK-un, uron besimtarët për festën e Kurban Bajramit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e festës së Kurban Bajramit, ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është pritur nga Myftiu Naim Tërnava.
Bëhet e ditur se me këtë rast, ai ka falënderuar Myftiun Tërnava për mikpritjen, dhe e ka uruar atë, gjithë Bashkësisë Islame të Kosovës për festën e Bajramit, gjithë besimtarët, qytetarët e vendit tonë, shqiptarët kudo që janë, duke thënë se kjo festë na e përkujton rëndësinë e sakrificës, por mbi të gjitha rëndësinë e gatishmërisë për sakrificë, nga e cila buron sinqeriteti, marrëdhëniet e mira ndërnjerëzore dhe mirësia e solidariteti.
“Kurban Bajrami është festë në të cilën të mirat materiale i ndajmë me të afërmit, miqtë, fqinjët, por gjithashtu edhe me ata të cilët janë të varfër e nevojtarë. E paralelisht me këtë ndajmë edhe kohë e dashuri, mirësjellje e dashamirësi me të gjithë qytetarët, sepse në shoqëri, në komb duhet të jemi bashkë e ta ndihmojmë me krejt çfarë dimë e mundemi njëri-tjetrin”, tha kryeministri Kurti, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
.jpg)























