Vërshime në Dragash, situata e rëndë|Video
BKT
Lajme

Vërshime në Dragash, situata e rëndë|Video

RTK

Kosova është përfshirë nga reshje shiu, duke shkaktuar përmbytje në disa qytete.

Kështu, në komunën e Dragashit ka pasur vërshime të mërkurën, teksa situata është cilësuar shumë e rëndë. 

Si pasojë e reshjeve të shiut që kanë përfshirë vendin tonë, në fshatin Kuk të Komunës së Dragashit gjendja paraqitet tejet e vështirë. Dy shtëpi janë dëmtuar, dhe dy të moshuar kanë mbetur të ngujuar brenda në shtëpinë e tyre, banorët kanë mbetur dhe pa energji elektrike, ku janë dëmtuar dhe shtyllat elektrike. Vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Banorët e fshatit Kuk të Komunës  së Dragashit, thanë se gjendja është jashtëzakonisht e rëndë nga reshjet e shiut dhe gjithçka është e papërballueshme. Ata kanë theksuar se gjithçka është shkatërruar brenda dy minutave.

Drejtori i Administratës së Komunës së Dragashit, Vetim Ramadani, ka thënë se  fshati Kukë është më i dëmtuari, gjithashtu edhe fshati Kosavqe, por që, fatmirësisht, siç tha ai, nuk ka dëme në njerëz nga këto vërshime.

E Shaqir Ukaj, komandant i Stacionit Policor në Dragash, tha për RTKlive se, që nga mesdita, Dragashi është përfshirë nga të reshurat shumë të dendura. Ai tha se janë aktivizuar të gjithë, është krijuar shtabi i emergjencave, por, megjithatë, përmbytjet e kanë bërë të vetën dhe dëmet janë të konsiderueshme.

“Ka përmbytje gjithandej, sepse të gjitha përrockat kanë dalë nga shtrati. Ka dëme të mëdha nëpër shtëpi, në rrugë e në infrastrukturë. Të gjitha fshatrat janë të përfshira , ka pasur të reshura shumë të mëdha prej 12.30”, tha Shaqir Ukaj.


MË SHUME NGA Lajme