Opozita lëshon seancën e Kuvendit, shkak Projektligji për KPM-në
Arbresha Berisha /RTK
(E përditësuar) Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë lëshuar sallën ku po mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.
Kjo pasi mazhoranca nuk e mbështeti kërkesën e tyre që Projektligji për KPM-në të hiqet nga rendi i ditës e t’i kthehet komisionit për shqyrtim.
"Ju po votoni kundër standardeve të Bashkimit Evropian. Ju as për konsultë nuk po pranoni ta dëgjoni Komisionin e Venecias, vërtet keni zgjedh një rrugë qorre për vendin. Nuk e di se kujt po i shërbeni", tha deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
Edhe nga partitë tjera thanë se me këtë qasje Kosova është larg Bashkimit Evropian. Por, pretendimet e opozitës i mohuan nga mazhoranca.
Opozita ka kërkuar që Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe ai për Zyrtarët Publikë t'iu kthehen komisioneve parlamentare për shqyrtim.
Projektligji për Agjencinë e sigurisë dhe mbrojtjes, kthehet në rishqyrtim
Në kushte të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës po mban seancën e radhës. Me të nisur seanca janë ngritur kritika sa i përket Projektligjit për Agjencinë e Intelegjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Nga opozita kërkuan që projektligji të mos kalojë në Kuvend, pasi sipas tyre i njëjti do ta cenojë sigurinë e vendit.
"Ky projektligj nuk duhet të kaloj. Projektligji do të cenojë sigurinë dhe bashkëpunimin në këtë fushë me partnerët tanë. Nëse ky ligj do të kalojë do t'i bëni problem shtetit. Nuk e di nëse vetëm keni qëllim për kapje por kjo do t'i bëjë problem shtetit", tha kryetari i Komisionit për Siguri, nga rradhët e AAK-së, Bekë Berishaj.
Kritika ndaj këtij projektligji patën edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj e ai i LDK-së, Anton Quni.
"Është mirë që projektligji të hiqet nga sponzorizuesi dhe të kthehet në komision. Nuk ka nevojë të jesh njohës i fushës dhe të shohësh tendencat që janë reflektuar nga grupi punues. Vërehet se është një konflikt mes dy institucioneve kryesore të vendit. Për mua nuk është me rendësi se kush është kryeministër e kush presidente", tha ai.
"Ky është një cenim i sigurisë nacionale, kombëtare. Besoj me kthimin e projektligjit në komision do t'i kalojmë mosmarrëveshjet që kemi", shtoi deputeti i LDK-së, Anton Quni.
Mirëpo pretendimet e opozitës i mohuan nga partia në pushtet, LVV.
"Nuk qëndrojnë pretendimet që zotri Berisha i ka përmendur. Grupi Parlamentar i LVV ka dakordimin që ligji të kthehet në komision në mënyrë që të ketë dakordime. Ne pajtohemi që sot ky projektligj të kthehet në komision e jo të tërhiqet. Pra në kuadër të komisionit të trajtohet më tutje", tha shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Me 69 vota për, 4 kundër dhe asnjë abstenim, projektligji u vendos t'i kthehet komisionit për shqyrtim.
Seanca e Kuvendit nis punimet në një sallë alternative

Në kushte të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare. Seanca e sotme do të mbahet në një sallë alternative. Kjo për shkak të punimeve që po bëhen në atë të mbledhjeve plenare.
Punimet janë duke u bërë në rregullimin e sistemit të votimit elektronik dhe pritet të zgjasin për më shumë se një muaj.
Tashmë deputetët kanë filluar në mblidhen në sallën 506 ku edhe do të mbahet seanca.
Deputetët e Listës Serbe janë kthyer në Kuvendin e Kosovës, pasi bojkotuan seancat që nga 8 shkurti, kjo me gjasë për të mos i humbur mandatet.
Me rregullore deputetët nëse nuk paraqiten për gjashtë muaj i humbin mandatet e tyre.


Kuvendi i Kosovës mban seancë, në rend dite 32 pika

N.M. /RTKlive
Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot në seancë plenare. Mbledhja fillon në ora 10:00, në rend dite janë 32 pika.
Në rend dite mes tjerash është dhe votimi për ratifikimin e Marrëveshjes me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës |Hasan Prishtina”, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, ai për gjendjen civile si dhe projektligji për maturën shtetërore.
Gjithashtu deputetët në rend dite do të kenë edhe votimin e Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, shqyrtimin e Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqyrtimin e Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës, raportimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare, raporton RTKlive,
Njëra nga pikat e rendit të ditës në seancën e sotme plenare është edhe shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028 si dhe Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.























