Arrestohet një person në Leposaviq, i dyshuar për krime lufte në Kosovë
B. H. | RTKlive
Policia e Kosovës, konkretisht hetues nga Drejtoria për hetimin e krimeve të luftës kanë arrestuar sot në Leposaviq një të dyshuar për krime lufte.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës pas një pune hetimore disamujore më 20 qershor ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale nën dyshimin se personi me iniciale S.L. duke vepruar në mënyrë individuale dhe në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Krimet e luftës kundër popullatës civile’ gjatë luftës në Kosovë, në regjionin e Gjakovës.
“Konsultimet e fundit me prokurorin e rastit kanë rezultuar me vlerësimin qe veprimet e mëtejme hetimore të orientohen drejt sigurimit të prezencës së të pandehurit në këtë çështje penale. Andaj, sot më 27.06.2024, Policia e Kosovës, konkretisht hetues nga Drejtoria për hetimin e krimeve të luftës, në bashkëpunim me agjentë nga AKI dhe të mbështetur nga njësit policore të rendit të DRP Mitrovicë veri kanë realizuar një plan taktik me ç’rast në Leposaviq është ndaluar dhe arrestuar i dyshuari m/s me iniciale (S.L.)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të njëjtit me urdhër nga organet e drejtësisë i është bastisur shtëpia në Leposaviq, ku hetuesit kanë konfiskuar dëshmi relevante të cilat do të trajtohen gjatë procedurës së mëtejme hetimore.
Sipas njoftimit, i dyshuari është sjell në ambientet policore për procedura të mëtejme të intervistimit.























