Shefi i Zyrës së BE-së diskutoi me Ahmetxhekajn zhvillimet e fundit në RTK
RTK
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Në këtë takim u diskutua për sfidat e transmetuesit publik, me theks të veçantë lidhur me përmbajtjen e letrës së disa organizatave evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së mediave, drejtuar Bordit të RTK-së.
Ambasadori Szunyog shprehu gatishmërinë për të ndihmuar zhvillimin dhe transformimin e RTK-së, duke theksuar domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë editoriale dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për transmetuesin publik.
Lidhur me takimin ka shkruar vet Ambasadori Szunyog në platformën “X”. Ai potencoi se pavarësia e RTK-së duhet të ruhet nga të gjithë.
“Në një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së Shkumbin_Ahmetxhekaj, diskutuam rolin kyç të transmetuesit publik në shërbim të interesit publik. Duke theksuar se pavarësia e RTK-së duhet të ruhet nga të gjithë, shpreha vlerësimin për punën e tij në përmirësimin e menaxhimit financiar dhe programimit”, ka shkruar Shefi i Zyrës së BE-së.

























