Bislimi: Serbia ishte e interesuar vetëm për një pikë, Asociacionin
Gjeraqina Tuhina / RTK, Bruksel/ RTKlive
(Plotësuar 22:19) Në Bruksel ka përfunduar takimi trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndërmjetësit evropian për dialog, Miroslav Lajçak, si dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit trepalësh, ka thënë se Serbia ishte e interesuar për vetëm një pikë të marrëveshjes bazike, e cila është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimi. Por Petkoviq ishte i interesuar vetëm për një pikë që nënkuptim aprovimi i draftstatutit evropian”, tha Bislimi.
Ai shtoi se pala tjetër ka thënë se mund të diskutohet për pika të tjera, por pasi të ecet përpara me zbatim të Asociacionit, derisa ne kemi pasur propozime për secilën pikë dhe është e rëndësishme që marrëveshja bazike të pranohet në plotni.
“Plani i sekuencimit të jetë gjithëpërfshirës pasi s’mund të dizajnojmë 10 plane të sekuencimit. Kërkesa e Lajçakut është që deri më 18 korrik të dërgojmë komentet tona me shkrim për këtë marrëveshje, propozime do të bëhen të njohura edhe për palët dhe kjo do të tregojë se Serbia nuk do ta respektojë marrëveshjen”, ka thënë Bislimi pas takimit.
Ndërkaq për marrëveshjen për energjinë, Bislimi nënvizoi se ka dyshime se Elektroseveri po shkel marrëveshjen, duke thënë se po përdor termin Kosovska Mitrovica, që është term jokushtetues.
“Marrëveshja për energjinë po ec më ngadalë sesa kemi pritur. Ka dyshime për shkelje nga ‘Elektroseveri’. E përdor termin ‘Kosovska Mitrovica’ që është term jokushtetues”, tha Bislimi.
Tutje, Bislimi në takimin me Lajçakun tha se ka diskutuar, veç tjerash, edhe për persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, si dhe për çështje të tjera.
Bislimi më tej shtoi se është diskutuar edhe për hapjen e dy vendkalimeve të reja kufitare me Serbinë, ndërsa është kërkuar që të hapen edhe dy shtesë, gjatë sezonit së verës.
Ndryshe, takimi i sotëm, që zgjati më shumë se 6 orë, nisi me takime bilaterale, ndërsa u përmbyll me atë trilateral. Vazhdimi i procesit mbetet tek përpjekja për të gjetur rrugën përpara në arritjen e dakordimit rreth formalizimit dhe planit të sekuencimit për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të cilën BE-ja e ka shpallur si ligjërisht të obligueshme në tërësinë e saj dhe aneksit të zbatimit, që pikë fillestare duhet ta ketë formalizimin e marrëveshjes mes palëve.
Petkoviq: Bisedimet ishin të vështira
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Prishtina ka treguar se nuk është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin.
Pas bisedimeve në Bruksel, ai tha se në takimin trepalësh me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, kanë këmbëngulur në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, e cila, sipas tij, është një çështje kyçe për mbijetesën e serbëve dhe për normalizim të marrëdhënieve.
Përfundon takimi trepalësh, Bislimi -Lajçak – Petkoviq

(Plotësuar 22:06) Në Bruksel ka përfunduar takimi trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit, ndërmjetësit evropian për dialog, Miroslav Lajçak, si dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Pas përfundimeve të takimeve të ndara në Bruksel, të emisarit të BE-së Lajçak, me kryenegociatori Petroviq dhe më pas me Bislimin, kishte filluar takimi trepalësh.
Takimi mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe ndërmjetësit evropian për dialog Miroslav Lajçak, ka nisur me një orë e gjysmë vonesë, meqë takimi i më hershëm që u zhvillua mes Lajçakut dhe kryenegociatorit te Serbisë, Petar Petkoviq zgjati më shumë se sa ishte planifikuar.
Ndryshe ky takim që u zhvillua sot ishte si vazhdimësi e tentimit të organizimit të takimit të liderëve.
Në agjendën e takimit mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit ishte nisja e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur mes liderëve vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër.
Edhe përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, më parë, ka deklaruar se puna me kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq vazhdon në Bruksel për të punuar në zhbllokimin e marrëveshjes.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimit trepalësh në Bruksel, ka Dekalruar se Serbia ishte e interesuar vetëm për një pikë të marrëveshjes bazike, atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nis takimi trepalësh, Bislimi -Lajçak - Petkoviq
Gjeraqina Tuhina | Bruksel | RTK
Në Bruksel ka nisur takimi trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit, ndërmjetësit evropian për dialog, Miroslav Lajçak, si dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Nis me një orë e gjysmë vonesë takimi Bislimi - Lajçak

Gjeraqina Tuhina | Bruksel | RTK
(Plotësuar 16:36)Takimi mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe ndërmjetësit evropian për dialog Miroslav Lajçak, ka nisur me një orë e gjysmë vonesë, meqë takimi më i hershëm që u zhvillua mes Lajçakut dhe kryenegociatorit te Serbisë, Petar Petkoviq zgjati më shumë se sa ishte planifikuar.
Petkoviq nisi bisedat me ndërmjetësin evropian në orën 14:00, ndërsa në orën 15:00 duhej të niste takimi i formatit të njëjtë me Bislimin.
Nuk dihen arsyet për këto vonesa. Megjithatë, akoma vlen plani që pas përfundimit të takimit të dytë bilateral, të kalohet në takimin trepalësh: BE, Kosovë, Serbi.
Në agjendën e takimit është diskutimi mbi sekuencimin e planit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes liderëve në Bruksel dhe Ohër në vitin 2023.
Nisin takimet në Bruksel në kuadër të dialogut
A. B. / RTKlive
Me takimin bilateral të delegacionit serb të udhëhequr nga krynegociatori Petar Petkoviq dhe të dërguarit special të BE-së, Miroslav Lajçak, filloi takimi në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Siç njofton gazetarja e RTK-së, Gjeraqina Tuhina së shpejti do të fillojë takimi i Lajçak-Bislimi, e më pas duhet të kalojnë në takim të përbashkët.
Ndryshe ky takim do zhvillohet si vazhdimësi e tentimit të organizimit të takimit të liderëve.
Në agjendën e takimit mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit do të jetë nisja e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur mes liderëve vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër.
Edhe përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se puna me kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq vazhdon në Bruksel për të punuar në zhbllokimin e marrëveshjes.























