Nënshkruhet protokolli për kontrollin e përbashkët kufitar Kosovë-Shqipëri
Islam Haxhiu / RTK
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij nga Shqipëria, Taulant Balla kanë nënshkruar në Qafë Morinë të Gjakovës marrëveshjen e kontrollit të përbashkët të kufitar.
Nënshkrimi i protokollit për zbatimin e kontrollit të përbashkët u bë në prani të organeve policore dhe doganore të Kosovës dhe Shqipërisë.
"Ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, ne po punojmë intensivisht që të dy komunitetet të përafrohen sa më shumë në kuptimin e lehtësirave të ndryshme duke sjellë realitetin që realisht nuk do ta ndiejnë fare kufirin. Unë them se ne nuk do të ndalemi që puna jonë të jetë sa më efektive dhe jeta e qytetarëve të të dyja shteteve të jetë sa më e lehtë por edhe ekipeve të ndërsjella të cilat po bëjnë një punë të shkëlqyeshme në përmbushjen e këtyre objektivave tona të përbashkëta", tha Sveçla.
E ministri i Shqipërisë, Taulant Balla theksoi para mediave se për shtetasit e Shqipërisë edhe të Kosovës nuk ka më kontrolle.
“Ne kemi përfituar nga mundësia që na jep teknologjia, që përmes sistemit të kamerave të regjistrojmë të gjitha targat për të pasur një evidencë të qartë. Ndërkohë që lajmi i mirë nuk është vetëm për ne, për qytetarët e Shqipërisë apo të Kosovës, sepse në këto pika të kalimit kufitar janë dhe të shumtë turistët që vijnë vizitojnë bukuritë e Malësisë së Gjakovës në të dy pjesët e saj, kështu që në këtë aspekt edhe për qytetarë të huaj, vizitorë që vijnë në Tropojë apo duan të shkojnë në Gjakovë ky lehtësim i kalimit të kufirit është një mundësi e mirë", tha ai.
Me këtë rast dy ministrat thanë se pas këtij akti zyrtar ndërshtetëror do të krijohen rrethana lehtësuese për banorët e të dy anëve të kufirit, e në veçanti të zonave përreth të pikave kufitare Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec/Krushevë, Borje/Glloboçicë dhe Orgjost/Orçush.























