Spahiu: Zyra ime do të jetë e hapur për çdo të punësuar të RTK-së
BKT
Në Fokus

Spahiu: Zyra ime do të jetë e hapur për çdo të punësuar të RTK-së

RTKlive

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu, pranoi sot detyrën nga ish-drejtori i përgjithshëm i Transmetuesit Publik, Shkumbin Ahmetxhekaj, i cili dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Në deklarimin e saj të parë, ushtruesja e detyrës, Zana Spahiu, paraqiti disa nga objektivat e saj gjatë ushtrimit të kësaj detyre.

Fjala e plotë e U.D. Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu:

Pas gati katërmbëdhjetë viteve përvojë pune në Radiotelevizionin e Kosovës, fillimisht si juriste për shumë vite e së fundmi në pozitën e Udhëheqëses së Zyrës Ligjore në RTK, nga sot, me besimin e plotë të Bordit të RTK-së jam emëruar në pozitën e UD të Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së. Jam vërtet e nderuar dhe ndihem përulësisht falënderuese nga ky besim i treguar nga Bordi i RTK-së. 

Ju siguroj se zyra ime do të jetë e hapur për çdo të punësuar të RTK-së pa dallim për të ndarë planet e zhvillimit bashkërisht dhe për të dëgjuar për idetë e reja dhe kreativitetin e stafit të talentuar që është në RTK. Krejt kjo për të krijuar një sinergji të re bashkëpunuese dhe bashkëkohore, për ti dhënë një dimension të ri zhvillimit të transmetuesit publik. Duke qenë se unë jam njëra prej jush, shpresoj që gjatë periudhës sa jam ushtruese detyre të kemi një bashkëpunim me të gjitha sindikatat tona. Institucionet kulturore, skena e pavarur artistike, producentët e pavarur dhe aktivitetet sportive të munguara dhe aq të kërkuara nga publiku, do të kthehen në RTK, në shtëpinë tonë, në shtëpinë e tyre, për të sjellë freski në programacion. RTK gëzon mbështetje të gjerë në publik, dhe kjo përkrahje duhet të përkthehet në programacion të pasur dhe të larmishëm. Andaj, duhet angazhim i përbashkët i të gjitha departamenteve për të arritur këtë synim dhe për çka pres bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve nga të gjithë të punësuarit. Zbatimi rigoroz i legjislacionit në fuqi, dhe konkretisht Ligjit të RTK-së dhe akteve të brendshme është nevojë imediate për ta kthyer transmetuesin publik në binarët e funskionimit. Kjo nënkupton se adresimi i rekomandimeve të ZKA-së do të jetë i plotë dhe i shpejtë. Jemi koshient se mundësitë buxhetore të transmetuesit publik janë të limituara dhe në një masë të caktuar edhe i determinojnë investimet, porse edhe në këtë buxhet duhet të jemi kreativ dhe largpamës dhe të angazhohemi edhe më tepër se deri më tani që të prodhojmë program cilësor. Do të isha shumë e lumtur dhe do ta quaja ëndërr të realizuar që ligjvënësi të reflektonte pozitivisht karshi kërkesave që do t’i adresoj së shpejti dhe të alokonte më tepër buxhet për RTK-së për të mundësuar zhvillimin më të shpejtë. Jemi në vigjilje të çerekshekullit të themelit të RTK-së, kur në shtator mbushën 25 vite, andaj kemi shumëçka për tu krenuar, por nuk duhet të harrojmë që përveç festës, publiku pret që RTK të kthehet aty ku e ka vendin, të cilin e ka mbajtur për shumë kohë, si mediumi me audiencën më të madhe në Kosovë.

Jam shumë besimplotë se kushdo që do të zgjidhet pas kësaj periudhe Drejtor i Përgjithshëm, transmetuesin publik do ta gjejë më të zhvilluar dhe më miqësor për punë. Për këtë jam shumë e sigurt. Me një angazhim të shtuar të gjithësecilit nga ne në të mirë të RTK-së.


MË SHUME NGA Në Fokus