Hodaj: Specialja më shumë aktakuza kundër administrimit të drejtësisë
BKT
Lajme

Hodaj: Specialja më shumë aktakuza kundër administrimit të drejtësisë

R. P./ RTKlive

Taulant Hodaj, avokat i akredituar nga  Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, përmes një lidhje të drejtpërdrejtë ka folur sot për emisionin ‘Info Plus’ në RTK rreth aktakuzës së përbashkët kundër tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës -Topit, e cila është konfirmuar sot nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas Hodajt kjo aktakuzë është e çuditshme, duke e marrë parasysh profilin e Gjykatës Speciale. Sipas tij tani Gjykata Speciale po interesohet të veprojë edhe për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

“E çuditshme se si në Gjykatën e Hagës tani ka më shumë aktakuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, sesa për krime të luftës”, tha Hodaj, duke shtuar se veprat penale për krime të luftës janë juridiksoni parësor i Gjykatës Speciale.

Hodaj gjithashtu shtoi se procesi gjyqësor kundër Januzit, Bahtijarit dhe Shalës pritet të përfundohet shpejt, sepse sipas tij  ka pak dëshmitar dhe pika të aktakuzës.

“Mendoj që në fund të vitit kjo duhet të kryhet sepse nuk është aktakuzë voluminoze dhe nuk po shihet se ka shumë dëshmitarë, vetëm nëse  mbrojtja ka eventualisht diçka më shumë”, tha Hodaj.

Tutje, Hodaj tha se tani Gjykata Speciale ka filluar një praktike të re dhe nuk po i bën publike aktakuzat deri në konfirmimin e tyre, teksa në fillimin e kësaj gjykate së pari është bërë publike aktakuza gjatë kohës kur kanë qenë ende në proces të konfirmimit, pastaj është publikuar informacioni se edhe për kë është aktakuza.

 


MË SHUME NGA Lajme