Kurti takon Nussbaumerin: Lidhjet me Zvicrën janë të fuqishme
BKT
Lajme

Kurti takon Nussbaumerin: Lidhjet me Zvicrën janë të fuqishme

SH.Ç/RTKlive

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer bashkë me delegacionin e udhëhequr nga ai, pjesë e së cilës ishin dhe dy miq të Kosovës, bashkëkryetarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Zvicër-Kosovë, Cédric Ëermuth dhe Marc Jost.

“Lidhjet e shtetit tonë me Zvicrën janë të fuqishme dhe karakterizohen veçanërisht nga bashkëpunimi në aspektin ekonomiko-kulturor. Mërgata atje, është ura që jo vetëm që na lidhë me shoqërinë zvicerane, por edhe që ndihmon zhvillimin dhe progresin e vendit tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se e ka falënderuar shtetin e Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme dhe gatishmërinë e vullnetin për lidhje edhe më të forta e të ngushta ndërmjet dy vendeve.

Ndërkohë në njoftimin e qevberisë, thuhet se gjatë bashkëbisedimit ndërmjet dy delegacioneve, u diskutua rreth marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar dhe për mundësitë e potencialin që mërgata jonë paraqet për fuqizim dhe thellim të mëtejmë të shkëmbimeve tona.

“Kryeministri Kurti falënderoi shtetin e Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme, rolin që ka luajtur sidomos përgjatë tri dekadave të fundit, dhe për vendimin për t’ia vazhduar mandatin Sëisscoy-it, kontingjentit të trupave zvicerane në Kosovë në kuadër të KFOR-it, deri në vitin 2026”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me mërgatën në Zvicër, Kurti theksoi interesimin dhe angazhimin e qeverisë për përfshirje dhe kontribut sa më të madh të saj në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri veçoi shembullin e konsorciumit “Orllati” nga mërgata në Zvicër, i cili doli fitues në ankandin e parë të energjisë solare dhe që planifikon investim prej 70 milionë euro. Ai shtoi se në Kosovë ka edhe shumë kompani zvicerane të suksesshme, duke e bërë atë destinacion të leverdishëm edhe për kompani tjera nga Zvicra.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer dhe delegacioni zviceran, i përbërë nga dy bashkëkryetarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Zvicër-Kosovë, Cédric Ëermuth dhe Marc Jost si dhe zyrtarja nga Shërbimi Parlamentar, Sophie Lachat Rohrer, po qëndron në Kosovë nga dita e hënë.

Ata kanë zhvilluar takime dypalëshe edhe me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministren njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.


MË SHUME NGA Lajme