Osmani: Hera e parë në histori që Kosova përfshihet si shtet në NATO
BKT
Lajme

Osmani: Hera e parë në histori që Kosova përfshihet si shtet në NATO

V.Th. /RTKlive

Presidentja Vjosa Osmani përfaqësoi Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s, në Uashington. Osmani ka thënë se për Kosovën është hera e parë në histori që si shtet është përfshirë në aktivitetet e Samitit të NATO-s.

“Për NATO-n ishte një përvjetor historik, 75 vjetori që u shënua në Uashington njëkohësisht edhe për Kosovën është një përvjetor historik sepse është 25 vjetori i hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, që mbetet misioni më i gjatë, i suksesshëm dhe më i madh në historinë e kësaj aleance”, tha Osmani.

Osmani theksoi se në hapjen e samitit është ftuar nga sekretari Antony Blinken i cili në mënyrë të veçantë në fjalimin e tij ka theksuar kontributin e Republikës së Kosovës në agjendën për gratë, paqen dhe sigurinë. Osmani shtoi se kishte bashkëbisedim me Blinken lidhur me bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-së.

Tutje, presidentja Osmani e ka vlerësuar si të jashtëzakonshme pjesëmarrjen e Kosovës si shtet në këtë samit sepse, siç tha ajo, Kosova nuk është ende anëtare e NATO-s, nuk është as në Partneritetin për Paqe dhe nuk e ka as statusin e partnerit nëpërmjet aktiviteteve të tjera.

“Por ftesa për mua si presidente, si përfaqësuese e Republikës së Kosovës ishte për shkak të relacionit shumë special me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rëndësisë së veçantë që SHBA-ja i jep paqes, sigurisë dhe suksesit të Republikës së Kosovës. Dhe besoj që është një mesazh shumë i fuqishëm që rruga e Kosovës drejt NATO-s është e pakthyeshme, natyrisht duhet të tejkalojmë  pengesat e caktuara që kanë të bëjnë me katër shtet jo-njohëse brenda aleancës të NATO-s”, tha Osmani.

Presidentja Osmani foli edhe për mundësit e anëtarësimit në NATO. Ajo tha se ky është një proces i cili kërkon edhe një sërë reformash nga Republika e Kosovës.

“Por pengesat kryesore do të thosha, në aspektin politik, është pengesa nga katër shtetet e NATO-s, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, disa prej tyre janë me qëndrim shumë më pozitiv me Kosovën, e disa janë më të ngurta. Mirëpo si presidente e Kosovës jam e angazhuar në komunikim intensiv me të gjitha këto shtete. Mund të them se suksesi ynë varet edhe nga ajo se sa do të angazhohet shteti më i fortë në NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të tejkalohen këto pengesa”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, edhe sot, Kosova e meriton të anëtarësohet në NATO, por se ky është një proces jo i lehtë për Kosovën, “është kompleks në aspektin politik por për derisa punojmë më ngulm si shteti më pro NATO në botë dhe për derisa punojmë shumë afër me aleatët tanë në veçanti me SHBA-në  jam e bindur se shumë shpejt do të vijë ai moment”, shtoi ajo.

Në intervistën për RTK-në, Osmani po ashtu foli edhe për takimin me presidentin francez, Emmanuel Macron, duke theksuar se Franca është një ndër shtet kryesore në nivel të kontinentit evropian dhe të organizatave që funksionojnë brenda Evropës por edhe në NATO si aleancë transatlantike.

Presidentja Osmani deklaroi se me presidentin Macron kishte një bisedë mjaft të rëndësishme për shumë aspekte dhe jo vetëm në kontekstin ndërkombëtar, por edhe për reformat e brendshme që Kosova po i bën në fushat e ndryshme, përfshirë në fushën e sundimit të ligjit ai e shprehi përkushtimin e tij që të mbështetet rruga euroatlantike e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme