Konstituohet Parlamenti i Evropës, Roberta Metsola rizgjidhet kryetare
BKT
Foto: Ilustrim
Lajme

Konstituohet Parlamenti i Evropës, Roberta Metsola rizgjidhet kryetare

Gjeraqina Tuhina/RTK-Bruksel

Me intonimin e himnit të Evropës, është konstituuar Parlamenti i ri Evropian, pas zgjedhjeve që u mbajtjen në territorin evropian në periudhën mes 6 dhe 9 qershorit. Për presidente të këtij institucioni, sërish është zgjedhur Roberta Metsola nga Malta e cila mori besimin e shumicës dërmuese të eurodeputetëve.

Bëhet fjalë për mandatin e dhjetë të Parlamentit Evropian, i cili numëron 720 eurodeputetë.

54% të eurodeputetëve përfaqësojnë emra të rinj.

Në mesin e tyre është edhe Fredi Beleri i cili duke qenë në burg në Shqipëri, u zgjodh për eurodeputet, ndërsa i është lejuar lirimi i përkohshëm sa për të bërë betimin në seancën inauguruese.

Eurodeputetët janë të vetmit përfaqësues në institucionet evropiane që zgjidhen drejtpërsëdrejt nga populli.

Ndër detyrat e para të këtij institucioni është zgjedhja e presidentes së Komisionit Evropian.

Usrula von der Leyen synon rizgjedhjen dhe për emrin e saj tashmë janë pajtuar liderët evropianë. Mirëpo për rizgjedhjen e saj nevojitet konfirmimi i Parlamentit. Votimi për Von der Leyen do mbahet më 18 korrik.

Nëse ajo nuk votohet me shumicë absolute, atëherë liderët duhet të propozojnë një tjetër kandidat, brenda një muaji.

Pas rizgjedhjes së personit numër një të Komisionit Evropian, parlamenti duhet me vota të konfirmojë dhe komisarët e rinj, gjithsej 26.

Emrat për komisarët i propozon secili vend anëtarë i BE-së, sipas parimit një shet një emër.

Përderisa vazhdon procesi i propozimeve, vetëm emri i zëvendëspresidentes se Komisionit Evropian është i sigurt. Ai i Kaja Kallas nga Estonia e cila do kryej njëkohësisht edhe funksionin e shefes së diplomacisë evropiane. Në këtë portofol përfshihet edhe menaxhimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Procesi i konfirmimit të emrave të rinj në Komisionin Evropian do nisë në muajin shtator, ndërsa të gjithë të emëruarit do nisin punën në vjeshtën e vonshme.


MË SHUME NGA Lajme