Ngec sërish procesi i hetimit në MPJD |VIDEO
Valjete Shala / RTK
Në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme, u shqyrtua hartimi i listës së dëshmitarëve për intervistim në komision.
Deputet nga pozitë e opozitë as të mërkurën nuk arritën të kenë një dakordim mes vete rreth listës së dëshmitarëve për intervistim në procesin e hetimit lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Deputetët nga pozita kërkuan që në listë të përfshihen zyrtarë gjatë periudhës së kaluar.
“Nuk mund të këtë një listë e me përmbyll punën e këtij komisioni e mos me përmbajt Enver Hoxhën këtu", ka thënë Fitore Pacolli, deputete nga LVV.
“Po vazhdojmë sipas listës tonë nga 14 e tutje..emrat që mungojnë i përfshijmë këtu", ka thënë Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deputete nga LVV.
Kurse Jeta Statovci, deputete nga LVV, ka thënë se çështja e kohës nuk mundet mu shkëputë. Kjo sepse ky proces ka një pikënisje, dhe se duhet që gjatë rrugës të shohin se ku kanë qenë defektet.
Deputetët nga opozita thonë se hetimi duhet të zhvillohet sipas periudhës për të cilën është themeluar ky komision hetimor.
“Derisa sa ka një dokument në Kuvend dhe ky komision është themeluar, çdo dalje nga kjo është thjeshtë tendencë mu pengu procesi", ka thënë Hysen Berisha, deputet nga PDK.
Ndërsa Ariana Musliu- Shoshi, deputete nga PDK, ka thënë se “çfarë ka nënshkruar Enver Hoxha që je tu deshtë me thirr veç me bë show politik. Nuk mundesh ti me thirr Enver Hoxhën pa e ftua fillimisht Donika Gërvallen që i ka shkarkua diplomatët e karrierës".
“Me u ftuar edhe Enver Hoxha edhe të gjithë që kanë mu diskutua. Por jo ne vetë me shkelë atë çfarë kemi votu në Kuvend për një komision hetimor për 2021-2023", ka thënë Rrezarta Krasniqi, deputete nga LDK.
“Ne nuk mundemi me kalu në vitin 2011, e pastaj të hetu 2021. Nuk është në rregull”, ka thënë Time Kadrijaj, kryetare e Komisionit.
Komisioni përfundoi mbledhjen duke mos pasur ndonjë vendimmarrje rreth listës së dëshmitarëve për intervistim.























