Vrasja në Serbi, dyshohet se është i përfshirë i arratisuri Faton Hajrizi
M.Sh/RTKlive
Faton Hajrizi, i arratisuri nga burgu i Smrekonicës, po dyshohet se është autor i vrasjes së një polici dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë të Serbisë, afër kufirit me Bosnjë dhe Hercegovinën. Edhe pse këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet kosovare, i arratisuri nëntë herë nga burgjet e Kosovës, po dyshohet se u përfshi në një konflikt me policinë serbe.
Në vendin ku ka ndodhur incidenti, policia serbe thotë se ka gjetur dokumentet, pasaportën dhe një kartë identifikimi të Gjermanisë, që i përkisnin vëllait të Fatonit, ArtanHajrizi (33).
Ky i fundit për mediet e Kosovës, tha se dokumentet ia kishte vjedhur vëllai i tij Fatoni, i cili para disa ditësh kishte qëndruar në Gjermani me disa shokë.
Artoni thotë se me të dëgjuar lajmin se ai është përfshirë në konflikt me policët serb, ka shkuar në policinë gjermane për të dëshmuar se ai ka qenë në Gjermani dhe jo në Lloznicë të Serbisë.
"Ai ka shkuar para dy ditësh. Unë dokumentet i kam lajmëruar të humbura. Unë nuk jam fajtor për këtë punë", tha Artani për mediet kosovare.
Sipas autoriteteve serbe, në Lloznicë, në orët e para të së enjtes u vra një polic serb, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit - i lindur më 1991 - dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë, rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli, e kanë ndaluar një Mercedes me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Sipas ministrisë, njëri prej personave ka shtënë me armë duke e goditur policët në patrullë. Policët e plagosur janë transportuar në Spitalin e Llozninës, derisa njëri ka vdekur prej plagëve të marra.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, nuk ka ngurruar që vrasjen e një zyrtari policor në Lloznicë ta quajë si akt terrorist. "Nuk mund të jetë i rastësishëm, është një sulm i organizuar. Prokuroria për krim të organizuar do ta konsiderojë këtë rast si akt terrorist", tha Daçiq.
Ai tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë. Sipas tij, ky person në Serbi ka hyrë ilegalisht.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që ky rast mos të politizohet.
“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti në një konferencë për media në mëngjes.
Ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.
MPJD thotë se do ta informojë opinion lidhur me këtë rast, ndërsa apelon te mërgimtarët që ta shmangin Serbinë gjatë ardhjes në Kosovë.
Zyra Ndërlidhëse në Beograd thotë se po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast, sipas tij, është një shtetas i Republikës së Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Policia serbe, ndërkaq thotë se ka arrestuar taksistin që dyshohet se ka transportuar të dyshuarin për vrasje të një polici serb dhe plagosjen e një tjetri. Sipas mediumit serb “Informer”, i arrestuari është Mihat Haxhiq nga Tutini, i cili dyshohet se e ka marrë të dyshuarin në Preshevë dhe ka vozitur në drejtim të Loznicës drejt kufirit të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Po ashtu MUP-i serb lajmëron se në Bjelinë të Bosnjës është arrestuar një i dyshuar tjetër së bashku me bashkëshorten, të cilët po e ndihmonin të dyshuarin për arratisje.























