Osmani: Sukseset e Kosovës janë të mundura me përkrahjen e aleatëve
BKT
Lajme

Osmani: Sukseset e Kosovës janë të mundura me përkrahjen e aleatëve

V.Th. /RTKlive

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një lidhje të drejtpërdrejt në Facebook nga Mbretëria e Bashkuar pas Samitit të katërt të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian, ka deklaruar se rruga dhe sukseset e Kosovës përpara janë të mundura me punë të pandalshme dhe me përkrahjen e aleatëve.

Osmani tha se diskutimi se si të ecim përpara në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës ka qenë një ndër temat primare të saj në të gjitha diskutimet me liderët evropian, duke theksuar që edhe në çdo takim ka diskutuar se si të rritet bashkëpunimi bilateral, që siç tha ajo, ka shumë potencial ekonomik, në arsim dhe në fushën e mbrojtjes, si dhe të shtohen këto potenciale me shumë shtete që nëpërmjet këtyre diskutimeve dhe investimeve të përbashkëta të përfitojnë qytetarët.

Osmani tha se në samitin tjetër të komunitetit politik evropian kishte shumë mundësi që të paraqesë qëndrimin e Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të forcohen aleancat të cilat janë ekzistenciale për sukseset e Kosovës dhe të popullit të saj.

“Do të ju njoftojmë për të gjitha këto takime veç e veç me shpresën që secila prej tyre vërtetë ka kontribuuar që Kosova të bëjë hapa konkret drejt integrimit në strukturat euroatlantike aty ku e ka vendin dhe e meriton”, tha presidentja Osmani në paraqitjen e saj nga Mbretëria e Bashkuar, ku gjatë tërë ditës është mbajtur Komiteti Politik Evropian, i cili është një prej samiteve më të rëndësishme ku po marrin pjesë 46 liderë dhe po diskutohet për sidat e përbashkëta dhe gjetjen e rrugës përpara në mënyrë që secili prej tyre të kontribuojë në zgjidhjen e tyre.

Osmani tha se ishte fat shumë i mirë që kësaj radhe samiti po mbahet në Mbretërinë e Bashkuar e cila sapo ka zgjedhur qeverinë e re.

“Partia Laburiste ka merita të jashtëzakonshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës sepse ishte në pushtet në kohën e të arriturave të mëdha të shtetit tonë, në vitin 99-të më rolin shumë vendimtar të kryeministrit Toni Blair. Në fakt e ka edhe trashëgimi të saj suksesin e Kosovës dhe se ka një interesim shumë të madh që të vazhdojë më përkrahje ndaj Kosovës edhe pse në kemi qenë të bekuar me përkrahjen e të gjitha partive në këtë shtet aleat”, tha ajo.

Ajo shtoi se është shumë më rëndësi që tani t’i hapim edhe kapitujt e ri të bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar, e ku ka diskutuar me kryeministrin e ri britanik dhe me ministrin e jashtëm, ministra dhe anëtarë tjerë të qeverisë britanike, duke theksuar se tek të gjithë shihej një përkrahje e jashtëzakonshme për Kosovën dhe gatishmëri e tyre që Kosova të vazhdojë të mbetet një storie suksesi dhe një prej shteteve që e dëshmon fuqinë e aleancave dhe rëndësinë e të qëndruarit pro demokracisë, sundimit të ligjit, drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha mbrojtjes së lirisë, ndër vlerat më fundamentale .

Osmani po ashtu kishte diskutime jashtëzakonisht të rëndësishme edhe me liderë nga e gjithë Evropa.

“Përveç diskutimeve me liderë britanik kisha edhe një sërë diskutimesh tjera me liderë nga e gjithë Evropa. Diskutimet ishin jashtëzakonisht të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin euroatlantik të vendit tonë, sepse populli i Kosovës jo vetëm që është populli më pro evropian dhe pro NATO në botë, por në të njëjtën kohë çdo vendim, çdo reforme dhe çdo hap përpara që e ndërmerr shteti ynë është në përputhje të plotë me vlerat dhe me kriteret e këtyre institucioneve apo organizatave që janë të bazuara në vet fundamentin e tyre në këto vlera”, theksoi presidentja.

Sipas Osmanit, Kosova ka dhënë kontribut në këto diskutime duke qenë në tryezën me shumë liderë ku është diskutuar për mbrojtjen e demokracisë dhe luftimin e dezinformatave, duke theksuar se Kosova nuk ka lejuar asnjë herë influencë ruse apo të forcave tjera malinje.

“Megjithatë, përderisa shteti fqinj Serbia përdoret si satelit i Rusisë dhe përderisa edhe vet i takon mentalitetit të shekullit të kaluar e që do të vazhdojnë të destabilizojnë jo vetëm Kosovën por edhe gjithë rajonin e nëpërmjet kësaj gjithë kontinentin evropian, natyrshëm ne si gjithnjë kërkojmë mbështetjen e aleatëve tanë, atyre që na kanë qëndruar pranë në kohët më të vështira, e të cilët kanë qenë vendimtar në ndërtimin e shtetit tonë dhe në rritjen e lirisë dhe demokracisë”, përfundoi Osmani.


MË SHUME NGA Lajme