Fredi Beleri nga eurodeputet sërish në burg
BKT
Shqipëri

Fredi Beleri nga eurodeputet sërish në burg

RTSH

Pas betimit në Strasburg si eurodeputet, Fredi Beleri është rikthyer në Shqipëri për të vijuar vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit. Në një prononcim për mediat nga aeroporti i Rinasit, Beleri tha se nuk i vjen keq që po kthehet në qeli, ndërsa u shpreh se ndihet mirënjohës për ata që e dërguan në Parlamentin Evropian.

Duke folur për kandidatin e ri, Petro Gjikuria për zgjedhjet që do të zhvillohen në Himarë për postin e kryebashkiakut, Beleri tha se ai është një figurë më e përshtatshme se vetë ai.

“Sigurisht që mund t’i fitojë! Opozita ka zgjedhur një kandidat besoj se edhe më të përshtatshëm se unë. Qytetarët e Himarës duhet të mbarojë atë që filluan më 14 maj të 2023-it. Jam i bindur për fitoren!” u shpreh Beleri.

I pyetur se si ishte për Fredin Beleri pesë ditë në liri, sipas tij ishin “normale, dhe mirënjohje, falënderime për ata që më votuan atje dhe përgjegjësi e madhe”.

Ai vuri në dukje së për të është përgjegjësi e madhe për të qenë në postin e eurodeputetit. “Nuk më vjen fare keq, unë e respektoj drejtësinë edhe pse drejtësia nuk respekton veten e vet. Krenar, mirënjohës për ata që më votuan dhe përgjegjësi të madhe për një detyrë të re dhe përgjegjësi të madhe për një detyrë të re”, theksoi Beleri.

Sa i përket kërkesës për lirimin me kusht të bërë nga avokatët e tij, Beleri tha se “kërkesa ime është brenda kuadrit ligjor. Drejtësia do të vendosë”.

Në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian, Fredi Beleri fitoi mandatin e eurodeputetit ku do të përfaqësojë Greqinë në PE. Ai u betua si eurodeputet në Parlamentin Evropian pasi mori leje për 5 ditë më parë nga Drejtoria e Burgjeve, duke udhëtuar drejt Strasburgut. Ndërsa ditën e sotme është kthyer në Shqipëri për të vijuar vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit, pasi akuzohet për blerjen e votave në zonën e Himarës në zgjedhjet vendore të 14 majit, 2023.


MË SHUME NGA Shqipëri