Szunyog te Kurti në takim lamtumirës: Kosova t’i përshpejtojë reformat
SH.Ç/RTKlive
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Szunyog tha se në takim e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin, teksa tha se e rikonfirmoi rolin e BE-së si partnere e pazëvendësueshme e Kosovës.
“Rikonfirmova rolin e BE-së si një partnere stabile dhe e pazëvendësueshme për Kosovën dhe e inkurajova atë që t’i përshpejtojë reformat e nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së”, shkroi Szunyog.
Për takimin ka njoftuar edhe qeveria. Sipas njoftimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Szunyog.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar ambasadorin Szunyog për bashkëpunimin e mirë dhe për përfshirjen dhe kontributin e tij përgjatë gjithë mandatit në diskutimet e brendshme dhe ato publike.
“Kryeministri veçoi dorëzimin në vitin 2022 të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, liberalizimin e vizave në vitin 2024, nivelin e lartë të përmbushjes së Agjendës e Reformave Evropiane (ERA 2) dhe vlerësimet pozitive në raportin e vendit për vitin 2022, si disa prej arritjeve të Kosovës në fushën e integrimit evropian, lëvizjes së lirë dhe reformave evropiane që janë shënuar gjatë mandatit të ambasadorit Szunyog”, njofton qeveria.
Sipas njoftimit, në takim u theksua gjithashtu bashkëpunimi i mirë dhe mbështetja e rëndësishme e Bashkimit Evropian për Kosovën në ballafaqim me pandeminë Covid-19 dhe në tranzicionin energjetik.
Kryeministri Kurti i uroi ambasadorit Szunyog suksese në angazhimet e tij të radhës.
Ambasadori Szunyog mori detyrën e Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së më 1 shtator 2020.
Mandati i Szunyogut pritet të përfundojë më 31 gusht të këtij viti.























