IKD publikon gjetjet e monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës
RTKlive
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), vlerëson se Kuvendi i Republikës së Kosovës edhe në sesionin pranveror për vitin 2024 ka dështuar të përmbush rolin e tij kushtetues.
“Në sistemet kushtetuese parlamentare, Kuvendi luan një rol të veçantë në funksionimin e demokracisë dhe në ruajtjen e balancit të pushteteve shtetërore. Kuvendi është organi kryesor legjislativ, përgjegjës për miratimin e ligjeve dhe politikave që udhëheqin vendin dhe në anën tjetër mbikëqyrës ndaj Qeverisë dhe ndaj organeve që votohen nga po Kuvendi. Sipas Kushtetutës së Kosovës, deputetët e Kuvendit janë të zgjedhur nga qytetarët, dhe kështu, ata përfaqësojnë interesat dhe nevojat e tyre, duke u siguruar që legjislacioni të jetë në përputhje me parimet kushtetuese, demokratike dhe standardet ndërkombëtare. Kushtetuta e Kosovës, Kuvendit mes tjerash i ka garantuar edhe rol mbikëqyrës, duke siguruar që ekzekutivi të veprojë në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe me standardet ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
Sipas IKD-së, sikurse, në vitet paraprake, edhe në sesionin pranveror të këtij vitit, puna e Kuvendit është karakterizuar nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit, nga vendimmarrjet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.























