Shtetet e QUINT-it: Nuk mbështesim ndryshimin e statusit për urën e Ibrit
M.Pasoma. / RTKlive
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nuk është pro ndryshimit të statusit aktual të urës së Mitrovicës. Këtij qëndrimi i janë bashkuar edhe shtetet e tjera që përbëjnë QUINT-in në konsultim me aleancën paqeruajtëse, NATO.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara jemi takuar me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, ka thënë Hovenier.
Ai ka kundërshtuar të përgjigjet për arsyen e këtij qëndrimi. Presidentja Vjosa Osmani dje i kishte reaguar zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke thënë se çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë.
“Ne kurrë nuk spekulojmë për skenarët se çfarë nëse diç ndodhë. Qëndrimi ynë i përgjithshëm është se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut duhet të zbatohen. Ky është një detyrim i kahershëm për të dyja palët, dhe çfarëdo hapash dhe veprimesh që do të ndërmerren që kanë ndikim në njërën palë ose në tjetrën duhet të zgjidhen, diskutohen dhe merren, si dhe të çohen përpara në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE”, ka deklaruar zëdhënësi i Brukselit Peter Stano.























