Përurohen investimet në nënstacionin e policisë në Komunën e Leposaviqit
Rinesa Pukaj/RTKlive
Janë përuruar investimet me vlerë prej 46 mijë e 400 euro në nënstacionin e Policisë së Kosovës në fshatin Soqanicë të Komunës së Leposaviqit.
Në përurim mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Sipas njoftimit për media nga Kryeministria, Kurti e ka quajtur renovimin një ndryshim thelbësor. Sipas shefit të ekzekutivit, nënstacioni nga një dhomë në kushte të mjerueshme, tash përfshin tri dhoma, dy banjo në 75 metra katrorë.
“Kur ka këso kushte kaq të mira për policinë sigurisht që kjo reflektohet drejtpërsëdrejti edhe në cilësinë e shërbimeve që jepen për qytetarët pa dallim. Policia këtu do të jetë multietnike dhe ajo do t’i shërbejë qytetarëve pa dallim etnie, ngjyre, moshe, gjinie apo religjioni”, theksoi Kurti.
Paraprakisht kryeministri mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, ku diplomuan 448 kadetë.























