Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, KQZ: Pjesëmarrja 22.58% deri në orën 12:00
ATSH
Pjesëmarrja e votuesve deri në orën 12:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 22.58%.
Sipas shifrave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë raportuar 34 nga 36 qendra votimi në total.
KQZ bëri të ditur se deri në mesditë kanë votuar 4956 nga 21 949 zgjedhës në listën e qendrave të votimit të raportuara.
Krahasuar me zgjedhjet e 14 majit 2023 vihet re një rritje e lehtë e pjesëmarrjes në votime.
Qytetarët e Himarës u janë drejtuar sot kutive të votimit për zgjedhjen e kreut të ri të Bashkisë së Himarës.
Në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Himarës janë dy kandidatë, Vangjel Tavo i Partisë Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjikuria.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Numri i zgjedhësve që janë ftuar të votojnë sot në Bashkinë Himarë është 23.074.