Kurti dhe Mickoski konfirmojnë bashkëpunimin mes dy vendeve|VIDEO
BKT
Foto| Arlinda Sejda| Shkup| RTK
Lajme

Kurti dhe Mickoski konfirmojnë bashkëpunimin mes dy vendeve|VIDEO

Arlinda Sejda| Shkup| RTK

(E plotësuar 12:50) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Maqedonisë Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit kanë mbajtur konferencë për media.

Kurti tha se dy vendet kanë bashkëpunim në të gjitha aspektet dhe kanë një trend pozitiv. Kurti përmendi edhe lehtësimin e qarkullimit kufitar, e veçanërisht në Han të Elezit. Shefi i ekzekutivit kosovar tha se pret zbardhjen e rastit me rastin e presidentes Osmani në Aeroportin e Shkupit.

“Padyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes me 2 gusht në Aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë me familje me dy vajza të vogla, autoritete e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetëror këtu kanë shprehur keqardhjen tyre e do të ketë një raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi edhe çka ka ndodhur edhe të mos na përsëriten më situate e tilla. Besoj që duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin. Le të zbardhet rasti, janë organet përkatëse që e bëjnë këtë gjë”, tha Kurti.

Ai ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kanë marrëdhënie të mira bilaterale. “Ne  kemi marrëdhënie të mira bilaterale, derisa në çdo fushë kemi punuar dhe kemi rritje të cilësisë e po ashtu, edhe të ekonomisë e tregëtisë”, ka thënë Kurti.

Edhe kryeministri i Maqedonisë  Veriut, Hristijan Mickoski, tha se me Kosovën kanë bashkëpunim. Ai përmendi edhe rastin presidentes Osmani në Aeroport. Shefi e ekzekutivit nga Maqedonia e Veriut tha se pret raport të hollësishëm për këtë rast. Ai tha se i vjen keq që ka ndodhur ky rast.

“Ka institucione kompetente që do ta ndriçojnë rastin në dy pjesë. Pjesa e parë ka të bëjë deri në momentin kur vjen personi, pjesa e dytë pasi që vjen personi të cilin e theksuat. Nëse institucionet e caktojnë si tejkalim, apo kryerje të veprës penale, ju siguroj që personi i njëjtë do të nxirret para drejtësisë”, tha ai.

Sipas tij askush nuk do të jetë mbi ligjin derisa ai të jetë kryeministër. “Theksova se presidentja e Kosovës është e mirëseardhur si edhe të gjithë qytetarët e tjerë nga Kosova dhe herën e ardhshme nëse marr informatë në kohë do të kem kënaqësinë ta pres si nikoqir në Aeroportin e Shkupit dhe ta shoqërojë në kohën që do ta kalojë në Aeroportin e Shkupit që t’u shmangemi këtyre incidenteve dhe veçanërisht sjelljeve të individëve që është problemi ynë i brendshëm që do ta zgjidhim brenda në shtetin tonë”, ka thënë ai.

Mickoski ka thënë se me Kosovën do të forcohen lidhjet ekonomike, bilaterale dhe do të punohet ngushtë për të ndërtuar rrugë të reja, duke marrë si shembull rrugën Shkup-Bllacë dhe Tetovë-Prizren. 

"Si qeveri e re e kemi qëllim që të ndërtojmë marrëdhënie të shëndosha të dyanshme. Kemi rënë dakord që të rrisim komunikimin por edhe tregtinë e përbashkët. Kemi biseduar për rrugën Bllacë-Shkup, por edhe për lidhjen e Tetovës me Prizrenin”, tha Mickoski.

Përfundon takimi Kurti-Mickoski, tani takimi i përbashkët me ministra

(E plotësuar 11:21) Ka përfunduar takimi i përbashkët mes kryeministrit Albin Kurti dhe homologut nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski në Shkup.

Pas këtij takimi, kryeministrat kanë vazhduar me takimin e përbashkët me kabinetet qeveritare.

(10:15) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur në Shkup, ku është pritur nga homologu nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski. Tani po mbahet takimi bilateral mes dy kryeministrave.

Kurti udhëton në Shkup, takon kryeministrin Mickoski

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka udhëtuar për vizitë pune në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Atje, ai do të pritet nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, me të cilën do të ketë një takim bilateral, njofton Kryeministra kosovare.

E sipas njoftimit nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nga 10:00 deri më 10:30 është planifikuar një takim kokë më kokë mes dy kryeministrave, ndërsa në ora 11:00 do të mbahet takimi dypalësh ku përveç kryeministrave do të marrin pjesë edhe delegacione qeveritare nga të dyja palët. Ndërsa më pas në Qendrën për Media të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut  është planifikuar konferenca e përbashkët për media e dy kryeministrave.

Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik 2024.No description available.No description available.


MË SHUME NGA Lajme