Përfundon aksioni i policisë në veri, mbyllen nëntë posta ilegale
BKT
Lajme

Përfundon aksioni i policisë në veri, mbyllen nëntë posta ilegale

Emine Hoti / RTKlive

(E përditësuar 17:10) Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se ka përfunduar aksioni i sotëm i policisë në veri të vendit. Ai njofton se janë mbyllur nëntë lokacione të postave ilegale. Tre objekte janë mbyllur në Mitrovicë Veri, dy në Zveçan , tre në Leposaviq dhe një në Zubin Potok.

Elshani ka potencuar se aksioni ka kaluar pa ndonjë problem, përveç një rasti në Leshak ku dy persona të dehur janë ndaluar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Gjatë kësaj kohe në Leshak kemi ndaluar dy persona të cilët i këmi dërgu në stacion të Policisë në Leposavic dhe atyre iu janë shqiptu tiketa për mospërfillje të urdhërit të Policëve dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka thënë Elshani për RTKlive.

(15:23)Aksion policor në objektet e postave ilegale në veri

Policia e Kosovës ka konfirmuar  për RTKlive se sot është duke u zhvilluar një aksion policor në veri të vendit tek postat e palicencuara, përkatësisht në objektet ku ka operuar e ashtuquajtura "Postë e Serbisë".

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni ka nisur pas një informate të pranuar nga ARKEP, se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomik pa licencë dhe të pa regjistruar në ARBK. Me këtë rast, sipas tij, njësitë policore kanë shkuar për verifikim të këtij informacioni.

“Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë, me ç’rast policia ka njoftuar prokurorin e shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve të tij”, ka thënë ai.

Elshani ka thënë tutje se deri tani nga 9 lokacione të kontrolluara, 5 janë mbyllur.


MË SHUME NGA Lajme