Përfundon protesta e serbëve në Mitrovicën e Veriut
BKT
Foto: Arlinda Sejda/RTK
Lajme

Përfundon protesta e serbëve në Mitrovicën e Veriut

Arlinda Sejda/RTK

(Plotësuar, 12:02) Qindra qytetarë të komunitetit serbë kanë protestuar në Mitrovicën e veriut kundër hapjes së urës së Ibrit. Kjo urë që nga paslufta ka qenë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve, por që me marrëveshjen e arritur në vitin 2014 në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel ishte paraparë të hapej në fillim të vitit 2017.

Protesta nuk ishte masovike dhe u zhvillua e qetë, ku të pranishmëve ju drejtuan disa pjesëmarrës.

Në mesin e protestuesve shiheshin transparente të tilla si: “Në urë e kemi mbrojtur mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës për gjithçka” etj.

Në protestë morën pjesë edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek dhe anëtarët e kësaj liste Igor Simiq dhe Slavko Simiq, por ata nuk mbajtën fjalime.

Para protestuesve ka mbajtur fjalim ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Veri, Nikolla Kabashiq. Ai ka thënë se asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut kanë marrë vendim kundër vullnetit të qytetarëve të kësaj komune për hapjen e urës së Ibrit. Ai ka thënë se e kundërshtojnë hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve dhe se kjo  çështje sipas tij duhet të dialogohet në Bruksel.

Serbët bëjnë përgatitjet për protestë afër urës së Ibrit

(Plotësuar, 10.25) Organizatorët e protestës së paralajmëruar në Mitrovicë të veriut po i bëjnë përgatitjet për fjalime në hapësirën afër urës së Ibrit, në pjesën veriore.

Përveç Policisë së Kosovës, e cila është prezente në afërsi të lokacionit ku do të mbahet protesta, shihen edhe pjesëtarë të Eulex-it dhe KFOR-it.

Lista Serbe u bën thirrje qytetarëve serbë për dalje në protestë

(Plotësuar, 9:20) Në prag të protestës së paralajmëruar për në orën 11:00 nga serbët lokal në Mitrovicën e veriut, RTK nga burimet veta ka mësuar se Lista Serbe në vazhdimësi po u bënë thirrje qytetarëve në veri që të dalin në protestë në numër sa më të madh.

Sipas Policisë së Kosovës, protesta është paralajmëruar nga një grup i qytetarëve të komuniteti serb në veri të Mitrovicës, derisa janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur rendin dhe qetësinë publike.

Pjesëtarë të EULEX-it e KFOR-it vendosen mbi objektet afër urës së Ibrit

(Plotësuar, 8:20) Mbi objektet në afërsi të urës së Ibrit qysh në orët e mëngjesit janë vendosur pjesëtarë të EULEX-it dhe të KFOR-it, ndërsa ekspertët për matjet e stabilitetit të urës të kontraktuar nga qeveria deri tani ende nuk janë parë te kjo urë.

Ndërkohë, në orën 11:00 është paralajmëruar një protestë nga serbët lokal, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës së Ibrit, e cila është e mbyllur për qarkullim të veturave që nga përfundimi i luftës në Kosovë.



Serbët e veriut paralajmërojnë protestë në Mitrovicë

B. H./ RTKlive

Një grup qytetarësh nga komuniteti serb kanë paralajmëruar se do të protestojnë mesditën e sotme në Mitrovicën e veriut.
Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në, Veton Elshani zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun.

Ai ka thënë se sipas organizatorëve arsyeja e protestës është “gjendja e rëndë e serbëve në Kosovë”.

“Një grup i qytetarëve në veri ka paralajmëruar një protestë për në ora 11:00, në pjesën ku i mbajnë protestat te sheshi Car Lazar. Protesta parashihet të jetë e qetë, ndërsa policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm, për të mbajtur rendin dhe qetësinë publike”, ka thënë Elshani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dje paralajmëroi protestën në veri dhe theksoi se serbët e atjeshëm do të kundërshtojnë hapjen e urës mbi lumin Ibër. Ai njëherësh ka propaganduar edhe për një protestë të shqiptarëve në anën tjetër të lumit Ibër, teksa i ka kërkuar KFOR-it që ta bllokojë urën dhe ta pengojë marshimin e shqiptarëve.

Megjithatë, pretendimet e Vuçiqit i ka hedhur poshtë kryeministri Albin Kurti, teksa ka akuzuar presidentin serb se po mundet të krijojë atmosferë frike. “Me pretendimet e rreme se shqiptarët do të marshojnë mbi urë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë atmosferë frike dhe të shkaktojë reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do ta bëjë. Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar Kurti mbrëmë në “X”.


MË SHUME NGA Lajme