Aksion simbolik kundër dhunës ndaj grave
Qendresa Duraku | RTK
Një ditë pas plagosjes së një gruaje në Fushë Kosovë, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion simbolik para stacionit policor në Prishtinë dhe para Prokurorisë së Shtetit në muret e të cilave institucione me ngjyrë të kuqe kanë shkruar grafite “Po i vrisni gratë”.
Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, shteti po mban anën e dhunuesve në luftën e dhunës kundër grave. Kështu, protestuesit kanë shprehur revoltën për, siç kanë thënë, neglizhimin e jetëve të grave dhe normalizimin e dhunës me bazë gjinore nga institucionet e shoqëria.
"Veç brenda një jave një burrë e vrau gruan në Graçanicë dhe një tjetër tentoi ta vriste gruan në Fushë Kosovë. Ky i fundit ishte arrestuar pak ditë më parë për dhunë në familje për t'u liruar pas 48 orëve në procedurë të rregullt. Përgjatë gjithë kësaj kohe jemi njoftuar për raste të shumta dhunimesh e dhunë në familje, e ajo çka pamë nga institucionet ishte një lojë e vazhdueshme për ta hedhur fajin tek njëra tjetra. E gjithë kjo teksa Qeveria vazhdon t'i amnistojë të akuzuarit për dhunë në familje teksa zotohet ta luftojë dhunën. Duke i bërë bashkëfajtore institucionet e Kosovës për vrasjen e grave, ne rikujtojmë se për vajzat dhe gratë në Kosovë çdo ditë është luftë, luftë për ta mbrojtur vetën nga dhuna e gjinizuar e abuzimi seksual, luftë për t'iu ikur plumbave e sopatave. E në këtë luftë shteti vazhdon t'ua mbaj anën dhunuesve dhe vrasësve, duke i amnistuar e duke e mirëmbajtur partiakalizmin. Ne e kthejmë gishtin ka policia, prokuroria e gjykatat të cilat në vazhdimësi po tregojnë që ky zinxhir është partrialkal i dhunshëm dhe armik i grave”, kanë thënë nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Ato kanë bërë thirrje për veprim në gjithë këtë situatë. ”Kërkojmë nga institucionet e shoqëria që t'u dal krah grave në luftën për çlirim kudo që ajo zhvillohet. Kërkojmë mobilizim, organizim dhe solidaritet me kauzën fenimiste për çlirim nga çdo lloj dhune kudo dhe kurdo, për të gjitha vajzat dhe gratë në Kosovë", theksuan tutje.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut ka reaguar për dy rastet e rënda të dhunës ndaj grave.
Përmes një komunikate për media KMDLNJ ka dënuar dukurinë e dhunës në familje dhe dhunën ndaj femrës, e që sipas këtij këshilli ka marrë përmasa shqetësuese.
“Rasti i Graçanicës duhet të hetohet nëse janë marrë masa mbrojtëse për viktimën dhe pas kësaj, në përputhje me përgjegjësinë e dëshmuar, duhen të merren masa që parashihen me ligjet në fuqi. Në rastin e Bresjes qartazi bëhet fjalë për dështim të institucioneve për ta parandaluar krimin aq më parë që kemi të bëjmë me një recidivist të shumëfishtë prandaj, me një koordinim të institucioneve përkatëse, rasti mund të evitohej”, thuhet tutje në komunikatë.
Në zinxhirin e hallkave të përgjegjësisë për dhunën në familje dhe dhunën kundër femrave, sipas KMDLNj-së, hallka e parë dhe kryesorja janë qendrat për punë sociale, prandaj hetimi duhet të bëhet aty.
Ndërkohë policia në njoftimin 24 orësh ka bërë të ditur se lidhur me rastin në Fushë Kosovë janë arrestuar dy presona, njëri nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, ndërsa tjetri pas dyshimeve se ka marrë armën e cila është përdorur, për ta larguar nga vendi i ngjarjes.























