Policia i largon protestuesit nga stacionet hekurudhore në Beograd
B. H. | RTKlive
Protesta kundër eksploatimit të borit dhe litiumit në Serbi “Nuk do të ketë miniera”, është mbajtur dje me pjesëmarrje masive në Beograd, e ku një pjesë e qytetarëve kanë bllokuar dy stacione hekurudhore – Prokop dhe Novi Beograd.
Megjithatë, në orët e para të mëngjesit policia ka rrethuar protestuesit në Prokop për t'i filmuar dhe i ka nxjerrë jashtë pak pas orës 05:30. Dy aktivistë u arrestuan sepse nuk donin të largoheshin nga stacioni, njofton N1. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq ka paralajmëruar se policia do të ngre kallëzim ndaj të gjithë atyre që “kanë sjellë ndërprerjen e komunikacionit publik ndërkombëtar dhe rrezikimin e sigurisë së qytetarëve”. Shumë qytetarë e kanë kaluar natën në stacionet hekurudhore në Qendrën e Beogradit (Prokop) dhe në Novi Beograd.
Aktivistët thanë se bllokada hekurudhore fillon nga hyrja e stacioneve hekurudhore, si reagim ndaj kërkesës pa përgjigje për ndalimin e shfrytëzimit të litiumit dhe borit.
Zlatko Kokanoviq nga “Ne damo Jadar” ka njoftuar mbrëmë se sot në pjesë të ndryshme të Serbisë do të fillojë bllokada në tri deri në pesë pika të tjera të trafikut hekurudhor.























