Situata me zjarret në Shqipëri, mbërrijnë dy avionë të Rumanisë
A.B| RTKlive
Dy avionë të Forcave të Armatosura të Rumanisë kanë mbërritur në Shqipëri duke iu bashkuar operacioneve të forcave shqiptare për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, në disa zona të vendit.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se dy avionët kanë mbërritur në Shqipëri, si mbështetje e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.
"Ekuipazhet rumune do të dislokohen për gati 10 ditë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku do të koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për t'u angazhuar që sot, në vatrat e zjarrit, ku situata është më kritike", thuhet në njoftim.
I pranishëm në pritjen e dy avionëve nga Rumania me ekuipazhet e tyre, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu falënderoi autoritetet rumune për ndihmën në këto momente të vështira.
Dy avionët ushtarakë janë njëri model C-27J (Spartan), që do të angazhohet në operacionet e fikjes së zjarreve dhe, tjetri, C-130 (Hercules), i cili ofron mbështetje logjistike për C-27J, ndërsa kapaciteti është 6 ton ujë për çdo fluturim.























