Shtuni: Partneriteti Kosovë –SHBA nuk është aty ku duhet të jetë|Video
BKT
Lajme

Shtuni: Partneriteti Kosovë –SHBA nuk është aty ku duhet të jetë|Video

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ardian Shtuni, ka komentuar deklaratën e sotme të ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se janë duke u përballur me disa sfida me qeverinë e kryeministrit Kurti që “kanë ndikuar në kualitetin e marrëdhënieve Kosovë – SHBA”.

Shtuni gjatë një interviste në “Info Plus” të RTK-së, ka theksuar se cilësia e partneritetit në mes Kosovës dhe SHBA-ve nuk është aty ku duhet të jetë dhe sipas tij kjo është shqetësuese. 

“Por, nga ana tjetër është edhe pjesa tjetër e medaljes.Ishte pjesa tjetër e deklaratës që është bërë gjatë ceremonisë së nënshkrimit dhe realisht nuk është një mesazh i ri, nuk po e dëgjojmë për herë të parë pasi që zoti Hovenier dhe zoti Obrajen e kanë shprehur qartë shqetësimin, frustrimin, lodhjen për qasjen jo bashkëpunuese me të cilën po përballen dhe rrugën ku ka hyrë partneriteti Shtete të Bashkuara – Kosovë. Cilësia e partneritetit është e qartë se nuk është aty ku duhet të jetë dhe kjo është shqetësuese”, ka deklaruar ai. 

Shtuni ka thënë se nëse Kosova kërkon të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare duhet të bashkëpunojë. “Bashkëpunimi është fjalëkalimi për të quar Kosovën përpara”, ka thënë ai.

Megjithatë sipas tij, lidhja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën është jashtëzakonisht e fortë dhe rëndësishme.

“Rëndësi ka që të ketë koordinim dhe bashkëpunim dhe që të ecet përpara drejt synimeve të përbashkëta. Synimi i përbashkët si nga SHBA dhe Kosova është që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe të konsolidojë shtetësinë dhe prezencën e saj në ato organizata.Gjithë veprimet e qeverisë së Kosovës duhet të jenë në funksion të arritjes së forcimit të shteti dhe të gjitha lojërat tjera politike apo elektorale duhet t’i lënë vendin këtyre qëllimeve”, ka nënvizuar ai.

Shtuni gjatë kësaj interviste në “Info Plus” ka theksuar se sot ishte një ditë e mirë për Kosovën pasi është nënshkruar një marrëveshje e rëndësishme për mbështetjen financiare të institucioneve të vendit me një grand të dakorduar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar .

“Kjo nuk është diçka e re. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë mbi një miliard dollarë fonde zhvillimore Kosovës në 25 vitet e kaluara. Pra, mesazhi është i qartë se përkushtimi dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara për mirëqenien, sigurinë dhe përparimin e Kosovës ka qenë, është dhe do të jetë i pandërprerë pavarësisht sfidave politike që mund të jenë”, ka nënvizuar ai.


MË SHUME NGA Lajme