Sarrazin: Duam që të krijojmë diçka të madhe në tetor, në Berlin
BKT
Në Fokus

Sarrazin: Duam që të krijojmë diçka të madhe në tetor, në Berlin

M.Miftari/RTKlive

Manuel Sarrazin, përfaqësuesi Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, pas përfundimit të vizitës në vendin tonë, tha se dëshiron të krijojë diçka më të madhe në samitin e tetorit, që do të mbahet në Berlin.

“Duam që të krijomë diçka më të madhe në tetor në Berlin. Në javën vijuese do të jem në të gjithë rajonin, pas Prishtinës, për të përgatitur rezultatet konkrete për popujt në Ballkanin Perëndimor, që të ecin përpara së bashku”, tha Sarrazin, ku sipas tij, kjo nënkupton rezultate konkrete për jetën e secilit qytetar, këtu, në të gjithë rajonin.

Ai shtoi më tej se për këtë duhet kompromise e nganjëherë edhe vullnet për të bërë koncesione për t’u pajtuar për marrëveshje politike që mund të mos jenë të lehta për Serbinë apo për Kosovën.

Sarrazin tha se po largohet paksa i brengosur në rast të mosarritjes së rezultateve për të ecur tutje në samit të Berlinit.

“Po largohem paksa i brengosur që nuk kemi arritur në atë moment edhe nëse nuk arrijmë rezultate më të mira për të ecur drejt samitit më 14 tetor, jam i brengosur që nuk do ta arrijmë qëllimin tonë për të dhënë një sinjal të fuqishëm që bashkëpunimi rajonal, tregu i përbashkët rajonal dhe Procesi i Berlinit, është formati që arrin të sjellë rezultate konkrete për njerëzit në terren”, deklaroi Sarrazin.

Ai bëri të ditur do të shkojë në 5 shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor, ku do t’i kërkojë secilit që të bëjë të mundur "në emër të vullnetit të kompromisit për të arritur ato rezultate për lirinë e mallrave, të njerëzve, të tregtisë në gjithë rajonin, së bashku në një drejtim drejt BE-së".


MË SHUME NGA Në Fokus