Përfundon aksioni në veri, mbyllen pesë objekte të komunave ilegale
V.Thaçi / RTKlive
(E Përditësuar 20:20) Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni policor i realizuar në veri të Kosovës, ka përfunduar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës.
Objeket e mbyllura janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës,Komuna ilegale e Mitrovicës,Komuna ilegale e Zveçanit,Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.
Po ashtu policia njofton se në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishek me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë.
I tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për tu veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente.
“Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatimi vendimeve të institucioneve dhe ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.
17:52 Policia e Kosovës aksion në veri
Policia e Kosovës njofton se po zhvillon operacion në katër komunat në veri të vendit, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
Sipas njoftimit qëllimi i operacionit policor është “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues.”
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për RTKlive se aksioni ka filluar në orën 17:00 dhe po vazhdon ende.
“Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, është duke zhvilluar një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës. Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues. Operacioni policor është duke vazhduar, ndërsa për informacione shtesë do të informoheni pas përfundimit të operacionit”, thuhet në njoftim.























