Osmani: Kosova ka mbushur kushtet për status të vendit kandidat për në BE
M.P / RTKlive
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.
Sipas njoftimit të presidencës, Osmani i uroi mirëseardhje dhe sukses ambasadorit Orav përgjatë mandatit të tij, gjersa ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave në të gjitha fushat, duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, si dhe duke qenë plotësisht e bashkërenduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Tutje, Presidentja theksoi se Kosova ka mbushur të gjitha kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së”, thuhet në postim.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë sigurinë, si dhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka përsëritur rëndësinë e madhe të trajtimit të shteteve aspiruese bazuar në merita dhe në përqafimin e vlerave që qëndrojnë në themelet e BE-së.























