Sveçla: Serbisë po i dështon `shkolla ruse` për destabilizim të Kosovës
Sh.Çoçaj/RTKlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbisë është duke i dështuar “shkolla ruse” për destabilizim të Kosovës dhe rajonit.
Ministri Sveçla ka shkruar ne Facebook se Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës duke kombinuar propagandën, operacionet subversive, ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride, sipas shkollës ruse.
Sipas tij, dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese, kanë acaruar Vuçiqin, Vuçeviçin, Vulinin, Radojçiqin, të cilët të dëshpëruar, po synojnë ende që “shkollën ruse” për destabilizim, ta implementojnë në rajon.
Sveçla ka theksuar se ata dështuan në:
1. Arritjen e qëllimeve politike përmes barrikadave në veri;
2. Sulmin paramilitar/terrorist në Banjskë;
3. Synimet për të nxitur trazira dhe konflikte në komunat në veri, përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve dhe fushatave propaganduese;
4. Synimet për të mbrojtur grupet e strukturuara kriminale, për qëllime politike dhe financiare/pastrimin e parave, kultivimin e drogave, trafikimin e armëve;
5. Destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes trafikimit masiv të armëve në komunat në veri të Kosovës;
6. Synimet e vazhdueshme për inskenim të incidenteve ndaj serbëve (në jug), për ta fajësuar Kosovën, përmes:
➢ Strukturave të sigurisë së Serbisë;
➢ Shfrytëzimit të individëve me orientim radikal (fetar); dhe
➢ Grupeve kriminale në rajon;
7. Fushatat e orkestruara për kinse ‘spastrimin etnik’, ‘krizën humanitare’, ‘sulmet ndaj serbëve’, kërcënimin nga ‘sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë’;
8. Presionet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës pa dallim, me theks të veçantë ndaj qytetarëve serb, përmes represionit të shtetit, strukturave të sigurisë dhe grupeve terroriste/kriminale;
9. Së fundmi, bllokimi i pikave kufitare përmes grupeve ekstremiste, radikale dhe terroriste, të sponsorizuara nga shteti.
Lista e dështimeve të tyre është e gjatë dhe do të vazhdojë të rritet, deri sa ta kuptojnë përfundimisht, që sovraniteti i Kosovës nuk mund të cënohet, orientimi Euro-Atlantik i rajonit, nuk ka kthim.























