Mungesa e kuorumit ndërpret seancën, shtyhet shqyrtimi i Ligjit për Specialen
G.K/RTKlive
Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës së sotme për shkak të mungesës së kuorumit.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në sallë ishin të pranishëm vetëm 38 deputetë, numër i pamjaftueshëm për vazhdimin e punimeve dhe marrjen e vendimeve.
Ajo ka njoftuar se seanca do të vazhdojë në një datë për të cilën do të dakordohen me shefat e grupeve parlamentare.
Në mesin e pikave që mbetën pa u shqyrtuar ishte edhe kërkesa e PDK-së për shqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i njohur si Ligji për Gjykatën Speciale.
Po ashtu, në këtë seancë nuk u hodh në votim as rezoluta e Aleancës për çështjen e energjisë elektrike.
“Punimet e kësaj seance vazhdojnë në një kohë kur të dakordohemi me shefat e grupeve parlamentare. Natën e mirë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ndryshimet në Ligjin për Specialen ishin miratuar më 6 tetor, ndërsa më 22 tetor presidentja Shiroka-Pula e kishte kthyer atë në Kuvend, pas kërkesës së PDK-së, e cila kishte iniciuar ndryshimet.























