Gola merr pjesë në takimin e parlamentarëve evropianë në Hagë
G.K/RTKlive
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryesuesi i delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Ardian Gola, po merr pjesë në takimin e Rrjetit të Parlamentarëve për Promovimin e Zbatimit të Aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që po mbahet më 12 dhe 13 nëntor në Hagë të Holandës.
Sipas njoftimit të Kuvendit, takimi organizohet në kuadër të Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut të APKE-së, në ambientet e Dhomës së Përfaqësuesve të Holandës.
Gjatë takimit, parlamentarët nga vendet anëtare dhe delegacionet e Këshillit të Evropës po diskutojnë për forcimin e mekanizmave parlamentarë në mbikëqyrjen dhe zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe për bashkëpunimin ndërinstitucional.
Po ashtu, po trajtohet roli i parlamenteve kombëtare dhe i Bashkimit Evropian në avancimin e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Gjatë ditës së djeshme, deputetët vizituan Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), ku u pritën nga zyrtarë të lartë të këtij institucioni.
Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, parlamenteve kombëtare dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Sipas Kuvendit, pjesëmarrja e Golës në këtë takim riafirmon përkushtimin për harmonizimin e praktikave parlamentare dhe ligjore me standardet e Këshillit të Evropës dhe të drejtave të njeriut.























