Interpelanca për shëndetësinë: Nga shtrenjtimi i barnave te listat e gjata të pritjes LIVE
BKT
Lajme

Interpelanca për shëndetësinë: Nga shtrenjtimi i barnave te listat e gjata të pritjes LIVE

M.P. & E.H. / RTKlive

Interpelanca për shëndetësinë ka shkaktuar debat në Kuvendin e Kosovës.

Ismaili kërkon shkarkimin e drejtorit të ShSKUK-së: Çmimet e barnave u rritën 364%

Deputeti nga PDK, Uran Ismaili kërkoi shkarkimin e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Elvir Azizit.

“Drejtorin e ShSKUK-së, si të dilni prej këtu, të inicioni dhe ta largoni prej aty. Në të kundërtën, heshtja, mbrojtja, neglizhimi, po ju bën përgjegjës edhe juve... ShSKUK-ja është në gjendje katastrofale. Po ju lus, të gjithë deputetët, të mos reagojmë vetëm në momentet kur vdes një grua dhe pastaj të çohemi e të flasim. Duhet të gjejmë edhe momente si ky, për t’i larguar nga qeveria njerëzit që abuzojnë me paratë publike”, tha ai.

Ismaili kritikoi për rritjen enorme të çmimeve dhe vonesave në procedurat e prokurimit.

“Është katastrofale. Kemi marrë 3 raste. Një artikull në boshllëk 224 ditë. Pra, s’ka pasur 224 ditë. E ka nisur procedurën e prokurimit me 0.59 cent. Është nënshkruar me 0.89 cent. Rritje 50%. Një artikull tjetër, me një boshllëk prej 165 ditëve. Është iniciuar me 19 cent, është kontraktuar me 0.59 cent. 210, 210% mashtrim. Një artikull tjetër, është filluar procedura me 7.53 euro, është lidhur kontrata 4 muaj më vonë me 34.92 euro, rritje 364%”, tha ai.

Reshitaj përmend listat e pritjes e mungesat 3 mujore të barnave onkologjike

Deputetja Albena Reshitaj nga LDK tha se Qeveria nuk mund të flasë për reforma të qëndrueshme, kur baza e sistemit vazhdon të jetë e dobët, duke përmendur listat e ngarkuara të pritjes dhe mungesën disa mujore të barnave esenciale. 

“Në fund të vitit 2025, vetëm në 60 klinika të QKUK 12.019 pacientë janë në lista të pritjes. Vazhdojnë deklaratat e mjekëve që për shkak të pritjeve të stërzgjatura pacientëve po ju përkeqësohet gjendja. Kush po e merr përgjegjësinë”, pyeti Reshitaj.  

Ajo tha se në korrik pacientët me kancer metastatik kanë mbetur 3 muaj pa një terapi që ju kushton 1.500 deri në 1.900 euro për një cikël tre mujor.

“Edhe drejtori i Onkologjisë ka deklaruar se në disa raste terapia është vonuar 7 deri në 9 javë. Qeveria s’mund të arsyetohet me procedura me porosi, operatorë ekonomik”, tha ajo. “Ato mund të jenë javët vendimtare për jetën e tyre”.

Time Kadrijaj: Qytetarët po detyrohen të zgjedhin mes barnave dhe ushqimit

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka kritikuar Qeverinë për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke kërkuar që ky sektor të trajtohet si prioritet. Gjatë deklarimit të saj Kuvend, Kadriaj tha se qytetarët po përballen me mungesë barnash, pritje të gjata, shpenzime të larta dhe vështirësi për të marrë trajtim në kohë.

Ajo ngriti edhe çështjen e moszbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, duke thënë se ky mekanizëm do të ndihmonte në lehtësimin e barrës financiare për pacientët. Kadriaj përmendi rastin e një qytetareje që kishte humbur jetën në mungesë të barnave, duke rikujtuar fjalët e saj: “A me jetu, a me ble barna? A me jetu, a me ble barna?”.

Deputetja theksoi se shumë qytetarë detyrohen të huazojnë para për të siguruar trajtimin e nevojshëm, ndërsa si shembull përmendi imunoterapinë, një dozë e së cilës, sipas saj, kushton 4 mijë euro në Kosovë. Ajo tregoi rastin e një nëne të papunë dhe të vetme, e cila duhet të sigurojë katër doza të imunoterapisë, me kosto totale prej 16 mijë eurosh.

“ A i ka mundësitë financiare ajo nënë e vetme, e cila nuk është e punësuar, me i pagu 16 mijë euro për mungesë të imunoterapisë?”, u shpreh Kadrijaj.

Vitia përmend rritjen e kërkesës së barnave e dështimin e tenderit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se dyfishimi i kërkesës nga pacientët e dështimi i një tenderi, kanë qenë arsyet e mungesës së barnave esenciale në Klinikën e Onkologjisë.

“Si pasojë e dyfishimit të kërkesave për këtë medikament, kontrata është shpenzuar 130% sipas mundësive ligjore që na jep ligji dhe ajo që ishte planifikuar që për 1 vit të shpenzohej për 100%, për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ka rezultuar me shpenzim prej 130% për vetëm 9 muaj. Mundësia e hapjes së procedurës së re ka qenë e pamundur pa aprovimin e buxhetit”, tha ai.

Jashari: Kur qytetari lufton për ta siguruar terapinë, ka papërgjegjësi shtetërore

Iniciatorja e kësaj interpelance, Sala Jashari nga PDK tha se nëse një pacient në vend detyrohet të luftojë për të siguruar terapinë mjekësore, atëherë është papërgjegjësi e shtetit.

“Asnjë familje nuk duhet të detyrohet të hyjë në borxhe, të shesë pasurinë apo të kërkojë ndihmë nga të tjerët për të siguruar një barë që shteti e ka detyrim të ia u ofrojë. Sepse, kur një qytetar detyrohet të luftojë të sigurojë terapinë që i nevojitet për të jetuar atëherë kemi të bëjmë me  papërgjegjësi shtetërore”, tha ajo.


MË SHUME NGA Lajme