Kurti takon kryeministren daneze, i thekson rëndësinë e integrimit euroatlantik
G.K/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në margjinat e takimit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, si dhe në atë ekonomike e tregtare.
“Në margjina të European Political Community (EPC) zhvillova një bisedë përmbajtësore me kryeministren e Mbretërisë së Danimarkës, Mette Frederiksen”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se gjatë bisedës ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj Kosovës.
“Shpreha mirënjohjen për qëndrimin e vazhdueshëm mbështetës të Danimarkës ndaj Kosovës dhe theksova rëndësinë e avancimit të Republikës sonë në procesin e integrimeve euroatlantike”, ka deklaruar Kurti.























