Viti: Kërkesa për barin për kancer gjini u dyfishua, tenderi dështoi
BKT
Lajme

Viti: Kërkesa për barin për kancer gjini u dyfishua, tenderi dështoi

M.P. / RTKlive

Në interpelancën e thirrur pas vdekjes së pacientes me kancer gjiri pas mbetjes katër muaj pa terapi, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia shpjegoi etapat që çuan në vonesën me furnizim të barnave të këtij lloji, duke përmendur dyfishimin e kërkesës e dështimin e një tenderi.

“Në pyetjen e parë, medikamenti palbociclib është futur për herë të parë në Kosovë në listën e barnave esenciale në vitin për vitin 2025. Menjëherë kanë filluar përgatitjet për sigurimin e tij dhe, duke qenë medikamenti i sapofutur në listë, planifikimi është bërë sipas kërkesave që kanë qenë në Klinikën e Onkologjisë deri në atë kohë. Në bazë të këtij planifikimi, është bërë planifikimi për 40 pacientë. Ministria e Shëndetësisë e ka kërkuar buxhetin shtesë në Ministrinë e Financave dhe kjo kërkesë është miratuar nga Ministria e Financave. Pas procedurave të nevojshme, kontrata është lidhur me datën 17 korrik dhe, në mes të muajit gusht, ka ardhur për herë të parë ky medikament në barnatoren qendrore në QKUK”, tha ai.

Vitia shtoi se gjatë kësaj kohe është shtuar kërkesa për këtë medikament, pasi pacientët që deri më atëherë e kanë siguruar në mënyrë private, tanimë kanë bërë kërkesën në Klinikën e Onkologjisë.

Vitia pastaj përmendi ngërçin politik disa mujor që kishte pasoja edhe në fushën e shëndetësisë, përkatësisht furnizimin me barna esenciale.

“Si pasojë e dyfishimit të kërkesave për këtë medikament, kontrata është shpenzuar 130% sipas mundësive ligjore që na jep ligji dhe ajo që ishte planifikuar që për 1 vit të shpenzohej për 100%, për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ka rezultuar me shpenzim prej 130% për vetëm 9 muaj. Mundësia e hapjes së procedurës së re ka qenë e pamundur pa aprovimin e buxhetit”, tha ai.

Ai ka thënë se oferta e pare në tenderin që është hapur ka dështuar si pasojë e mungesës së ofertuesve.

“Menjëherë pas dështimit të ofertës së parë, është hapur tenderi përsëri me procedura tash të përshpejtuara dhe, me datën 30 korrik 2026, është lidhur kontrata dhe, me datën 18 gusht të këtij viti, ka filluar liferimi në barnatoren qendrore”, ka shtuar Vitia.

Sipas tij, gjatë vitit 2026 furnizimi me barna për nevojat e Klinikës së Onkologjisë nuk ka qenë në nivelin e dy viteve paraprake.

“Gjatë vitit 2026, furnizimi me barna për nevojat e Klinikës së Onkologjisë nuk ka qenë në nivelin e vitit 2024 dhe 2025, për shkak të arsyeve që i përmenda për barin palbociclib. Shkaqet e tjera të evidentuara në këtë mungesë janë disa barna nuk kanë pasur autorizim marketingu. Shkak tjetër, vonesat në furnizim si pasojë e procedurave, dështimet për shkak të mungesës së ofertuesve dhe, në disa raste, tejkalim i shumës së parashikuar bazuar në listën zyrtare për çmimin e barnave”, tha ai.

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme