IQMT gjobit tri kompani postare me 9 mijë euro, mbi 100 biznese formalizohen
BKT
Lajme

IQMT gjobit tri kompani postare me 9 mijë euro, mbi 100 biznese formalizohen

V.Th / RTKLive

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar 70 inspektime ndaj kompanive postare që bartin dhe shpërndajnë produkte të porositura përmes platformave online, me ç’rast tri kompani janë gjobitur me gjithsej 9 mijë euro.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, gjobat janë shqiptuar për shkak të refuzimit të kompanive për të ofruar të dhëna për bizneset apo personat fizikë nga të cilët kishin pranuar produktet për transport drejt konsumatorëve.

Gjatë këtij aksioni janë identifikuar edhe dy persona fizikë që ushtronin veprimtari tregtare pa biznes të regjistruar. Ministria njofton se ndaj tyre janë shqiptuar gjoba dhe janë obliguar që të regjistrojnë bizneset brenda afatit të përcaktuar nga inspektorët.

Ndërkaq, sipas MINTI-t, një nga rezultatet e aksionit është formalizimi i mbi 100 bizneseve, të cilat janë regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës që nga fillimi i aktiviteteve inspektuese.

Në kuadër të mbikëqyrjes së tregut, IQMT-ja ka nisur edhe inspektimin e ofertave dhe zbritjeve të promovuara nga bizneset për Black Friday.

"IQMT do të mbikëqyrë në mënyrë të veçantë përputhshmërinë e çmimeve të reklamuara me zbritje me çmimet reale të shitjes së produkteve dhe shërbimeve për konsumatorët", thuhet në njoftim.

Ministria paralajmëron se rastet kur çmimet e reklamuara si të zbritura nuk përputhen me çmimet reale në momentin e blerjes konsiderohen praktika të padrejta tregtare dhe mashtruese.

"Për këto raste, konform dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, do të ndërmerren masat përkatëse dhe do të shqiptohen gjoba ndaj bizneseve përgjegjëse", thuhet më tej në njoftim.

Aksioni për mbikëqyrjen e tregtisë online do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, ndërsa inspektimet e bizneseve që operojnë përmes platformave online janë përfshirë në planin e rregullt të punës së IQMT-së.


MË SHUME NGA Lajme