Ursula von der Leyen: Procesit të zgjerimit do t’i kushtohet rëndësi
RTK
Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se në ekipin e saj të ri me mandat pesëvjeçar, do të ketë një komisionar për zgjerim. Ajo tha se procesit të zgjerimit do t’i kushtohet rëndësi dhe kujdes i veçantë.
Edhe në përbërjet e deritashme të Komisionit Evropian, kishte komisionar për zgjerim, por ai ishte përgjegjës edhe për politikën fqinjësore të BE-së. Me përfshirjen e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë në procesin e zgjerimit, krahas Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës si dhe Turqisë, numri i vendeve në procesin e zgjerimit është rritur në dhjetë vende.
Me përjashtim të Kosovës, të gjitha kanë edhe formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kosova aplikoi për anëtarësim në dhjetor 2022, por kërkesa deri më tash nuk është shqyrtuar.























