Kosova së shpejti me ambasadë në Kolumbi
E. Hoti / RTKlive
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, po qëndron për vizitë zyrtare në Kolumbi. Gashi u prit në Pallatin San Carlos nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kolumbisë, Jorge Enrique Rojas.
Sipas njoftimit nga MPJD-ja, pikë kryesore e takimit ishte hapja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi.
“Gashi falënderoi zëvendësministrin Rojas për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Kolumbia përgjatë proceseve integruese të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ndërsa, nga ana tjetër, zëvendësministri Rojas e falënderoi Gashin për vizitën dhe shprehu gatishmërinë e Kolumbisë që t’i zgjerojë më tej marrëdhëniet e mira në mes të dy vendeve, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe intensifikimit të shkëmbimeve diplomatike”, thuhet në njoftim.
Zëvendësministrja Gashi, në takim, u shoqërua nga udhëheqësi i përkohshëm i Divizionit të Amerikës Jugore të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës dhe nga ambasadorja e Kosovës në Panama.
Sipas kësaj ministrie kjo vizitë ka rëndësi të veçantë, pasi është vizita e parë zyrtare dhe po zhvillohet në prag të hapjes së Ambasadës së Kosovës në Bogota.
“Hapja e Ambasadës tregon për angazhimin e Kosovës në këtë hemisferë të botës dhe nevojën për një prani më të madhe jo vetëm në Kolumbi, por edhe në gjithë Amerikën Latine. Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi do t'i forcojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat”, thuhet tutje në njoftim.























