Begaj mirënjohje homologut lituanez për mbështetje ndaj Kosovës
A.B| RTKlive
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj gjatë vizitës që po i bën Lituanisë, është takuar me homologun Gitanas Nausėda, të cilit i ka shprehur mirënjohjen për kontributin e Lituanisë në KFOR, si edhe mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat Euroatlantike.
“Gjatë vizitës sime në Vilnius, vlerësova mbështetjen e palëkundur të Lituanisë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne jemi të angazhuar për të përmirësuar marrëdhëniet tona dypalëshe, duke u përqendruar në sektorët e arsimit, ekonomisë, sigurisë kibernetike dhe turizmit”, tha ai..
Presidenti i Shqipërisë u shpreh optimist në lidhje me rezultatin e kësaj vizite në Lituani dhe më herët në dy republikat e tjera baltike, Letoni dhe Estoni.
Forcimi i marrëdhënieve i shërben shteteve në përballjen me sfidat e reja globale, si edhe mirëqenies së qytetarëve, u konkludua në takim.
Presidenti Begaj bisedoi me Presidentin e Lituanisë edhe për rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e mbrojtjes, sigurisë, arsimit shëndetësisë dhe bujqësisë.
Presidenti Begaj theksoi faktin se Shqipëria kurrë nuk është lëkundur në qëndrimet e saj evropiane duke qenë prezente në të gjitha operacionet që BE-ja ka ndërmarrë në mbrojtje të demokracisë dhe vlerave mbi të cilat u ngrit dhe funksionon Unioni.
Shqipëria dhe Lituania, u theksua në takim, ndajnë të njëjtat vlera edhe si aleate në NATO, dukë dëshmuar gatishmëri për intensifikimin e ndihmës ndaj Ukrainës dhe për kontributin në misionet ndërkombëtare të paqes dhe mbrojtjes së lirisë. “Investimi në mbrojtje është investim për të ardhmen e sigurinë në botë”, vlerësoi Presidenti Begaj, i cili theksoi rëndësinë e bashkimit përballë kërcënimeve që janë prezente.























