Konjufca: Demokracia mirëmbahet nëpërmjet angazhimit qytetarë
V.Th& E.H.& K.K.. RTKlive
(E plotësuar, 10:41) Kuvendi i Kosovës, me moton globale “Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet”, nisi shënimim e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se, shënimi i kësaj ditë është i rëndësishëm për ta theksuar rendësin e idealeve të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, krahas sulmeve dhe tendencave në rritje që ekzistojnë në kahen e kundërt për ta minuar dhe për ta sfiduar demokracinë.
Ai po ashtu tha se është e rëndësishme ta njohim progresin demokratik të deri tashëm, që e ka shënuar Kosova duke qëndruar paralelisht përkrah botës demokratike për ruajtjen e idealeve që përfaqëson demokracia sidomos në këtë kohë të sfidave të mëdha globale
“Demokracia mirëmbahet nëpërmjet angazhimit qytetarë, sepse pasqyron vlerat e aspiratat tona të përbashkëta. Është detyrë dhe obligim i secilit prej nesh që të jemi pjesëmarrës aktiv në vendimmarrje dhe avokojmë pa u ndalur për ndryshime pozitive”, tha Konjufca.
Sipas tij, zgjedhjet janë qenësore për demokracinë, zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse siç tha ai përmes zgjedhjeve jetësohet më së miri vendimmarrja e qytetarëve.
Ai shtoi se Kosova do të mbajë zgjedhje në vitin 2025 dhe se rrjedhimit është legjislatura e parë që po e përmbyll mandatin e saj të plotë katër vjeçar.

Ndërsa Nancy Soderberg, drejtoreshë e lartë rezidente e Institutit Demokratik Ndërkombëtar (NDI) në Kosovë, tha se Kosova ka mundësi të ngrit standarde më të larta që të shfrytëzohen për të mirën e shoqërisë në përgjithësi dhe për të punuar për transparencën.
“ NDI është partner në çdo hap të rrugës. Jemi zotuar që NDI të shfrytëzohet si një mjet i mirë që të mbështet qeverisjen, përfshirë këtu edhe transparencën dhe llogaridhënien. Të bashkohemi në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë dhe të punojmë së bashku për të dëshmuar vlerat demokratike dhe me mjetet moderne digjitale për të ndërtuar një Kosovë që është e hapur për të gjithë”, nënvizoi ajo.

Blerta Deliu-Kodra, deputete, anëtare e forumit për transparencë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, tha se sot është një ditë e veçantë për t’i kujtuar përpjekjet shumëvjeçare të Kosovës për ta konsoliduar demokracinë dhe vlerat e rëndësishme që janë vendosur ndër vite që kjo demokraci të jetë edhe më e fortë dhe që llogaridhënia dhe gjithëpërfshirja të jenë baza të rëndësishme të një shteti demokratik
Ndër të tjera, ajo tha se gjatë këtyre viteve është bërë punë e madhe dhe padyshim duhet vlerësuar angazhimin të cilin e ka pasur forumi për transparencë parlamentare me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile.
“Sot duhet të flasim edhe për gjendjen e rëndë dhe jo rrallë cenimin që u është bërë vlerave demokratike të Kosovës. Padyshim duhet të flasim edhe për cenimin jo të rrallë që këto vlera demokratike e kanë pasur gjatë këtyre viteve”, theksoi Deliu-Kodra dhe shtoi se “kemi pasur një qeveri jodemokratike, e cila jo rrallë ka cenuar fundamentin e shtetit”.
“Mungesa e llogaridhënies ka qenë jo rrallë në thelb të diskutimeve tona në Kuvend. Ministrat kanë qenë të papërgjegjshëm. Nëse i shohim raportet e organizatave të shoqërisë civile, shohim se kemi një kryeministër i cili në sesionin pranveror 36 herë nuk u është përgjigjur kërkesave dhe pyetjeve parlamentare të deputetëve”, tha ajo.
Nis shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë
(E plotësuar, 10:19) Kuvendi i Kosovës, me moton globale “Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet”, nisi shënimim e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Kjo ditë ka për qëllim inkurajimin e qeverive që të forcojnë programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë shënohet më 15 shtator. Kjo datë është përcaktuar në vitin 2007, me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila inkurajon qeveritë që të forcojnë programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë.

Kuvendi shënon Ditën e Demokracisë

Sh.Ç/RTKlive
Me moton globale “Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet”, sot Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Për ta shënuar këtë ditë, nga ora 10:00, parlamenti do t’i hapë dyert.
Gjatë kësaj kohe do të mbahen aktivitete të ndryshme si: panairi i organizatave të shoqërisë civile, Kuizi i Demokracisë, tryeza “Zgjedhjet dhe teknologjia” , Punëtori apër Demokraci – Demos-ti si dhe panel diskutimi “Sporti dhe Demokracia: Një vizion i ri për të ardhmen”.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë shënohet më 15 shtator.
Kjo datë është përcaktuar në vitin 2007, me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila inkurajon qeveritë që të forcojnë programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë.
Agjenda
10:00 Hapja e dyerve të Kuvendit
10:00 Ceremonia e Hapjes së Ditës së Demokracisë
• Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës
• Nancy Soderberg, Drejtore e lartë rezidente e NDI në Kosovë
• Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Forumi për Transparencë, kryetare
• Blerta Deliu-Kodra, Forumi për Transparencë, anëtare
Prezantimi i videos (NDI)
Prezantimi i videos (OSBE)
(Holli i Kuvendit)
10:00 Panairi i organizatave të shoqërisë civile
(Holli i Kuvendit)
10:00 Kuizi i Demokracisë
(Oborri i Kuvendit)
Ky aktivitet organizohet me mbështetje nga NDI.
11:00 Tryezë diskutimi “Zgjedhjet dhe teknologjia”
Moderim: Rezarta Krasniqi, D4D
(Salla 506, Kuvendi i Kosoves)
*Ky aktivitet organizohet me mbështetje nga D4D dhe NDI.
10:30 Punëtori për Demokraci – Demos-ti
(Oborri i Kuvendit)
13:30 Panel diskutimi “Sporti dhe Demokracia: Një vizion i ri për të ardhmen”
(Salla 506, Kuvendi i Kosoves)























