Kurti: Kërkesat e Vuçiqit janë bërë nga dëshpërimi
V.Thaçi / RTKlive
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka folur për djegien e shtëpisë në veri, për letrën e Bërnabiqit dhe paralajmërimet e Vuçiqit.
Ai ka thënë se së pari duhet të flitet për tri kushtet që i ka vënë ai, e që janë kushte paqësore dhe racionale.
“Së pari duhet të flisni për tri kushtet që i kam vënë unë, e që janë kushte paqësore dhe racionale, do të thotë janë dorëzimi në autoritetet kosovare i Millan Radojiçiqit, është nënshkrimi i Marrëveshjes dhe është gjithashtu tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, e cila tha që nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës. Ato tri kushte janë paqësore dhe racionale”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se kërkesat e Vuçiqit janë bërë nga një dëshpërim dhe paraqesin një jo-racionalitet.
"Ato kërkesat e tij, masat e tij bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin jo-racionalitet e nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë", shtoi Kurti.
Kurse për sulmin me koktej molotovi në veri të Mitrovicës, Kurti deklaroi se ata që e kanë bërë këtë krim do të ndiqen nga organet e Kosovës.























