Halili: Fokusi ynë, rritja e cilësisë programore të Radio Kosovës
M.Pasoma / RTKlive
Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, në 25-vjetorin e themelimit të institucionit, ka folur për ndryshimet të cilat janë bërë viteve të fundit.
“Përpara kemi pasur problem me mbulueshmëri të sinjalit, ndër prioritetet e mia ka qenë shtrirja e sinjalit në tërë territorin e Kosovës. Kemi bërë investime në transmetues, sa i përket investimeve teknologjike janë rithemeluar dy kanalet e Radio Kosovës. Kemi bërë investime nga mikrofoni, miksetat digjitale dhe pajisje tjera teknike. Kemi bërë ndërrimin e sistemit të antenave në pikat transmetuese në Golesh, Cërnushë, Majën e Gjelbër dhe pika në Zatriq. Është bërë një punë e mirë”, ka thënë ai.
Halili ka thënë se radios si medium po iu rikthehet rëndësia e vet, meqenëse një kohë sipas tij, është lënë paksa anash. Ka shtuar se Radio Kosova është dritare e komunikimit edhe për bashkatdhetarët.
“Fokusi ynë është rritja e cilësisë programore profesionale të Radio Kosovës. Skema programore vazhdimisht përditësohet me programe të reja, planifikojmë të bëjmë përmirësime dhe freskime me emisione të reja”, ka thënë drejtori i Radio Kosovës.























