Zajmi: 25 vjet në RTK më ngjallë shumë emocion
K.Kasumi - Sh. Gashi/ RTKlive
Ilire Zajmi është njëra prej gazetareve që nisi rrugëtimin në RTK 25 vjet më parë dhe ende vazhdon të punojë me zell në transmetuesin publik. Ajo gjatë emisionit special kushtuar 25 vjetorit të RTK-së ka rrëfyer ditët e para në këtë institucion.
“Nëse kthehemi në retrospektiv 25 vite mbrapa, vet ideja që jemi këtu me ngjallë shumë emocion. Ka qenë një ditë me shumë stres ne kishim bërë përgatitje thuajse një muaj më parë sepse vërtet RTK ka filluar punën më 19 shtator por puna kishte filluar shumë më herët. Afro dy muaj kishim mbledhur materiale nga televizionet e huaja që kishin punuar gjatë luftës në Kosovë sepse s’kishte asnjë kasetë asnjë material, pra absolutisht gjithçka ka filluar nga zero”, theksuar ajo.
Tutje Zajmi ka thënë se në fillim RTK kishte vetëm një prezantuese dhe disa gazetarë më të vjetër, të cilët edhe më herët kishin provojë në Radiotelevizionin e Prishtinës.
“E mbaj në mend që ishim mbledhur në galeri në Radio Kosovë në një studio të improvizuar dhe thjesht me ato mundësi ne ia dolëm dhe kur gjithçka shkoi mirë ditën e transmetimit ishte njëfarë çlirimi për të gjithë”, ka shtuar Zajmi.
Ndërkaq, Lindita Azizi, gazetare terreni tha se ka qenë pjesë e stafit të zgjedhjeve të para që janë mbajtur në Kosovën e pasluftës.
“Në fakt unë erdha si gazetare në RTK, nuk u bëra gazetare në RTK , kam qenë pjesë e televizionit të Shkupit, redaksisë në gjuhës shqipe. Kam kaluar të gjitha fazat e mundshme të avancimit nga korrespodentja e parë shqiptare prej Ohrit deri në Shkup”, tha ajo.
Ajo ka thënë se gjatë luftës qenë gazetare në të përditshmen ‘Fakti’ më vonë edhe redaktore, ku kka përcjellë luftën në Kosovë. “E them me vetëdije të plotë, kam qenë shqiptarja e vetme që ka qëndruar më së shumti në Bllacë sepse aty shqiptarët e Kosovës vinin dhe mundoheshin të gjenin për gjetur rrugë për të dalë”, pohoi Azizi.
Ajo tha se nga ajo kohë ka një sërë shkrimesh që ndoshta një ditë do të bëhen libër.























