Nënkryetarja e Bordit: RTK, dritare shprese e informimi në kohë të vështira
BKT
Në Fokus

Nënkryetarja e Bordit: RTK, dritare shprese e informimi në kohë të vështira

A.B |RTKlive

Nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti, ka uruar 25 vjetorin e themelimit të Radio Televizionit të Kosovës me ç ‘rast ka thënë se në këto dy dekada e gjysmë, RTK ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e një shoqërie demokratike, të informuar dhe të hapur në Kosovë.

“Sot festojmë jo vetëm historinë dhe arritjet e këtij institucioni të dashur për të gjithë ne, por edhe një të ardhme të ndritur që RTK-ja ka përpara”, tha ajo në mesazhin e saj për çerek shekullin e themelimit të mediumit të vetëm publik në Kosovë.

Sipas saj, RTK ishte një dritare shprese dhe informimi gjatë kohërave më të vështira, e deri më sot dhe se ky institucion ka qenë gjithmonë pranë qytetarëve të Kosovës. “Kur kujtojmë rrugëtimin e RTK-së, nuk mund të mos përmendim kohërat e vështira të pasluftës, kur televizioni ynë publik ishte zëri i lirisë, i së vërtetës dhe i shpresës. Në ato momente, RTK-ja nuk ishte thjesht një burim informacioni, por një simbol i rezistencës dhe qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës", theksoi ajo.

Nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti, ka deklaruar se RTK si medium publik, ka përgjegjësi të madhe në ofrimin e informacionit të besueshëm dhe të saktë. “Ne jemi të angazhuar për të luftuar dezinformimin dhe manipulimin, duke siguruar që qytetarët të kenë qasje në informacion të verifikuar dhe të paanshëm, për të ruajtur transparencën dhe besueshmërinë në media”, tha ajo.

Mehmeti tha se në këto 25 vite, RTK-ja ka evoluar bashkë me vendin tonë. “Megjithatë, për të mbajtur hapin me zhvillimet teknologjike dhe për të përmbushur nevojat e audiencës, nevojiten investime të mëtejshme. Falë përkushtimit të gazetarëve, producentëve, teknikëve, të gjithë stafit dhe atyre që kanë kontribuar ndër vite, RTK ka ndërtuar një trashëgimi të vlefshme, duke u bërë një nga institucionet më të rëndësishme të vendit. Ky përvjetor është një mundësi për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të hedhur sytë drejt një të ardhmeje të ndritur. Sfidat në media janë të shumta, por unë jam e bindur që RTK do të vazhdojë të jetë një institucion që informon, frymëzon dhe edukon, duke ruajtur gjithmonë standardet më të larta profesionale dhe etike”, tha nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti.

Urimi i plotë i nënkryetares së Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti:

Gëzuar 25-vjetorin e themelimit të Radio Televizionit të Kosovës!

Sot festojmë jo vetëm historinë dhe arritjet e këtij institucioni të dashur për të gjithë ne, por edhe një të ardhme të ndritur që RTK-ja ka përpara.

Në këto dy dekada e gjysmë, RTK ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e një shoqërie demokratike, të informuar dhe të hapur në Kosovë. Që në krye të herës, kur RTK ishte një dritare shprese dhe informimi gjatë kohërave më të vështira, e deri më sot, ky institucion ka qenë gjithmonë pranë qytetarëve të Kosovës. Kur kujtojmë rrugëtimin e RTK-së, nuk mund të mos përmendim kohërat e vështira të pasluftës, kur televizioni ynë publik ishte zëri i lirisë, i së vërtetës dhe i shpresës. Në ato momente, RTK-ja nuk ishte thjesht një burim informacioni, por një simbol i rezistencës dhe qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës.

Sot, përveç sfidave tradicionale, mediat dhe vendet po përballen me një kërcënim të ri: luftën hibride. Ky fenomen përdor një kombinim të mjeteve konvencionale dhe jo-konvencionale, si dezinformimi, propaganda dhe sulmet kibernetike, për të ndikuar në mënyrën se si publikohet informacioni dhe si perceptohet ai nga publiku. Taktikat e tilla të sofistikuara kanë për qëllim të dëmtojnë besueshmërinë e mediumeve dhe të minojnë integritetin e informacionit që ato ofrojnë. Duke krijuar një atmosferë pasigurie dhe konfuzioni, këto taktika mund të ndikojnë në stabilitetin e shoqërisë dhe mirëqenien e vendit.

Në këtë kontekst, roli i Radiotelevizionit të Kosovës bëhet edhe më i rëndësishëm. Si një medium publik, RTK-ja ka një përgjegjësi të madhe në ofrimin e informacionit të besueshëm dhe të saktë. Ne jemi të angazhuar për të luftuar dezinformimin dhe manipulimin, duke siguruar që qytetarët të kenë qasje në informacion të verifikuar dhe të paanshëm, për të ruajtur transparencën dhe besueshmërinë në media.

Radio televizioni i Kosovës është një shtyllë themelore e demokracisë sonë, duke shërbyer si një platformë për dialog të hapur, llogaridhënie dhe transparencë. Përmes programeve të saj, RTK ka dëshmuar se mund të jetë një platformë e fuqishme për komunikim, arsimim dhe kulturë, duke sjellë gjithmonë informacione të besueshme, programe edukative dhe shfaqje që pasqyrojnë vlerat tona kombëtare. RTK-ja ka pasqyruar jo vetëm realitetet e brendshme të vendit, por edhe ka ndërtuar ura komunikimi ndërmjet komuniteteve në Kosovë, por jo vetëm.

Në këto 25 vite, RTK-ja ka evoluar bashkë me vendin tonë. Megjithatë, për të mbajtur hapin me zhvillimet teknologjike dhe për të përmbushur nevojat e audiencës, nevojiten investime të mëtejshme. Falë përkushtimit të gazetarëve, producentëve, teknikëve, të gjithë stafit dhe atyre që kanë kontribuar ndër vite, RTK ka ndërtuar një trashëgimi të vlefshme, duke u bërë një nga institucionet më të rëndësishme të vendit.

Ky përvjetor është një mundësi për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të hedhur sytë drejt një të ardhmeje të ndritur. Sfidat në media janë të shumta, por unë jam e bindur që RTK do të vazhdojë të jetë një institucion që informon, frymëzon dhe edukon, duke ruajtur gjithmonë standardet më të larta profesionale dhe etike.

Gëzuar 25 vjetorin e Radiotelevizionit të Kosovës! Suksese të mëtejshme në shërbim të popullit dhe të shtetit tonë!

 


 


MË SHUME NGA Në Fokus