Lutfiu: Protestat do të kenë efekt, nuk do të ndalen
BKT
Në Fokus

Lutfiu: Protestat do të kenë efekt, nuk do të ndalen

Alban Selimi/RTK

(E plotësuar) Me moton “Për identitet dhe dinjitet” ka nisur protesta e shqiptarëve në Preshevë.  Shqiptarët në Luginë po protestojnë kundër shkeljeve të të drejtave të tyre nga Serbia. 

Protestuesit po kërkojnë njohjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, si dhe njohjen e diplomave të lëshuara nga Kosova.

Kryetari i Këshillit Nacional, Nevzad Lutfiu i ka thënë RTK-së se duke pasur parasysh se diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptarëve i ka prekur kufijtë e racizmit dhe konstruktiviteti nuk është ana e cila po kryen punë sa i përket të drejtave të shqiptarëve, atëherë është zgjedhur protesta.

“Protestat do të vazhdojnë, ndërkohë janë kërkesat e njëjta. Ndalja e menjëhershme e pasivizimit të adresave tendencë e hapur për spastrim etnik, njohja e diplomave të të gjithë të rinjve të Preshevës të cilët i kanë përfunduar studimet në Kosovë, punësimi i kuadrove në institucionet shtetërore dhe një varg të drejtash të cilat na mohohen si komunitet shqiptar”, tha ai.

Lutfiu është shprehur i bindur që këto protestat do të kenë efekt dhe se nuk do të ndalen derisa këto të drejta të zgjidhen.

Kjo është protesta e dytë, pas asaj e cila u mbajt më 12 gusht.Sot mbahet protesta e shqiptarëve në Preshevë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu ka bërë të ditur se sot nga ora 13:00 do të mbajnë protestën e paralajmëruar në Preshevë.

Shqiptarët e Preshevës do të mblidhen përsëri për të marshuar në sheshin e qytetit, duke kërkuar identitet dhe dinjitet për shqiptarët. Kjo është protesta e dytë pas asaj në Bujanoc.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptar, Nevzad Lutfiu, tha se protestat e marshimet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të shqiptarëve.

“Edhe në këtë marsh, edhe në këtë protestë, ne do ti paraqesim të gjitha format e diskriminimit të cilat Serbia me vite po I realizon ndaj komunitetit shqiptar, gjithashtu do të kërkojmë edhe në këtë protestë zbatimin e menjëhershëm të të gjitha marrëveshjeve të cilat Serbia vet I ka nënshkruar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të luginës së Preshevës”, tha ai për RTK.

Lutfiu theksoi se ky marsh e gjen të bashkuar spektrin politik shqiptar të Luginës.

“Diskriminimi i Serbisë ndaj komunitetit shqiptar I ka prekur kufijtë e racizmit, prandaj nuk do të heshtim dhe protestat dhe reagimi ynë do të vazhdojë. Është lajm i mirë se pothuajse të gjitha subjektet politike shqiptare po e mbështesin protestën e ditët së nesërme, konkretisht asnjë subjekt shqiptar në Luginë të Preshevës nuk është deklaruar kundër organizmit të kësaj proteste, normalisht protestat do të vazhdojnë edhe pas ditët së nesërme”, theksoi ai.

Ndërkohë, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se është koha që shqiptarët të bashkohen për të dëshmuar se problemet e tyre nuk mund të anashkalohen më.

Sinani ka përsëritur se të hënën marshohet për ndalimin e pasivizimin e adresave, njohjen e diplomave, krijimin e vendeve të punës, për institucione të hapura për të gjithë, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe respektimin e detyrimit të shtetit ndaj shqiptarëve.


MË SHUME NGA Në Fokus