Banjska, një vit pas sulmit terrorist| VIDEO
Visar Shatrolli |RTK
Fiks një vit më parë, Serbia kreu agresion në Republikën e Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Banjska një vit pas sulmit terrorist është në qetësi absolute e ambient të sigurtë. Fëmijë luajnë në oborrin e shkollës së këtij fshati. Jo fort larg, dikush tjetër kujdeset që ta rregullojë makinën e tij bujqësore.
Të tjerë shijojnë këtë ditë të qetë në njërën nga kafenetë e Banjskës. E manastiri të cilin kriminelët e përdorën për të sulmuar e fshehur, mbylli dyert në përvjetorin e sulmit terrorist në këtë fshat.
Por gjithçka ndryshe ishte një vit më parë. Saktësisht para 12 muajsh, Serbia përmes grupeve të saj terroriste tentoi ta aneksonte veriun e Republikës.
Mëngjesi i 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit, do të mbesë në kujtesën e njerëzve e në historinë e Kosovës, si tronditja më e madhe ndaj një shteti të pavarur.
Ishte ora 2 e mëngjesit e kësaj date kur filloi gjithçka. Hyrja e fshatit Banjskë bllokohet nga dy kamionë.
Në vendngjarje shkon rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku me kolegë. Një minë që u shpërthye me telekomandë nga grupi terrorist serb, i mori jetën rreshterit Afrim Bunjaku e la të plagosur polici tjetër, Alban Rashiti.
Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Njësia Speciale Operative zbarkuan në Banjskë. Ishte gjendje lufte. Jarinja e Bërnjaku u mbyllën.
Policia e Kosovës po përplasej me një grup terrorist serb fort mirë të organizuar. Megjithatë, arriti ta rrethonte grupin terrorist, pa lënduar asnjë civil.
Rrethimi ndodhi, grupi terrorist refuzoi të dorëzohej, duke përdorur Manastirin e Banjskës si mburojë, e sulmi ndaj Policisë vazhdonte.
Por, kundërpërgjigja e Policisë ndaj këtij formacioni paraushtarak serb ishte e fortë dhe profesionale. Arritën t`i vrasin tre terroristë të këtij grupi, derisa të tjerët ikën këmbë maleve të Banjskës, nga edhe kishin ardhur .
Pamjet që Policia i filmoi nga qielli dëshmuan se në krye të grupit ishte krimineli i sanskionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, Milan Radojiçiq.
Pas sulmit, Policia në atë zonë gjeti e sekuestroi armatim në vlerë 5 milionë euro.
Mina kundër këmbësorisë, predha minahedhësi, granata dore, mina antitank, eksploziv dinamit, detonatorë elektrikë, mitraloza, armë të shkurta e të gjata.
5 ditë pas sulmit në Banjskë, Policia bastisi disa lokacione, ndër to edhe vilën superluksoze të kriminelit Milan Radojiçiq, buzë liqenit të Ujmanit.
Për këta terrorist të mbështetur e financuar direkt nga shteti serb, tashmë është ngritur aktakuzë.
Pak pa u bë një vit nga ky sulm, përmes një konference për media, Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se ka ngritur aktakuzë për 45 terroristëve serbë, në krye me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq.























